
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha.
Sipas njoftimit, kallëzimi penal ka të bëjë me mosveprimet e tij si person zyrtar “Kryeprokuror dhe Prokuror në rastin e hetimit të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari”.
Përmes një njoftimi në Facebook, Gashi ka shkuar se Hoxha nuk ndërmori asnjë veprim të domosdoshëm në kuadër të detyrës së tij zyrtare lidhur me rastin.
“Ne sot po e publikojmë kallëzimin penal kundër ish Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ish Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ish kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës nga LDK – Sylë Hoxha”.
Sipas Gashit, Hoxha nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të domosdoshëm në kuadër të detyrës së tij zyrtare për të siguruar prova që do të identifikonin vrasësit e Astrit Deharit.
“Urdhërdhënësit për vrasje dhe ata që e fshehën vrasjen e Astritit për më tepër se 4 vite”.
Hoxha në vitin 2016 në cilësinë e Kryeprokurorit të Prizrenit, kishte thënë se dyshohej që Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje.
Ndërkohë, në vitin 2019, hetimi i vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes iu transferua Prokurorisë Speciale, pas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, i cili kishte ardhur në përfundim se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, ta ketë vrarë veten në burg.
Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016 ku po mbahej pas dyshimeve për sulm në objektin e Kuvendit të Kosovës.