970×90
970×90
970×90
970×90

Kosova zgjohet me fitoren e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit

Kosova zgjohet me fitoren e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.79 për qind të votave, më së shumti që një parti i ka marrë ndonjëherë në historinë e Kosovës së lirë. Duke kundërshtuar gjithçka, fillimisht në rrugë, pastaj në Kuvend, VV-ja mbyll epokën e rebelimit. LDK’ja, nga ana tjetër, ka pësuar humbjen më të thellë, duke rënë në 13 për qind.

Brenda një viti e gjysmë, Kosova ndërroi dy qeveri, ndërsa sot lexohet rezultati i asaj që ndodhi prej 6 tetorit të vitit 2019 e këndej.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pa votat me postë dhe pa votat me kusht, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar 47.79 të votave, duke shënuar fitoren më të thellë. Këto rezultate përfshijnë 88.79 për qind të votave të përgjithshme që janë numëruar deri tash dhe nuk përfshin votat me kusht dhe votat e ardhura me postë nga jashtë.

LDK’ja është mposhtur për herë të parë në bastionin e saj, Istogun e Ibrahim Rugovës. LVV-ja e ka fituar bindshëm edhe kryeqytetin, të cilin LDK-ja e ka udhëhequr në disa mandate. Tash LVV-ja ka mbi 60 për qind, ndërsa LDK-ja 23 për qind.

Sonte kur KQZ-ja po publikonte rezultatet nga numërimi i votave, LVV-ja printe në shumicën e komunave, ndërsa harta e Kosovës mori ngjyrën me të cilën ajo ilustrohej. Shtrirjen e VV-së nëpër Kosovë e ka devalvuar Lista Serbe, që ka fituar në 10 komuna.

PDK-ja është partia e dytë me 17.3 për qind të votave, ndërsa Drenica nuk e ka ndërruar atë. Partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, tash në duart e Enver Hoxhajt, prin në Skenderaj dhe Drenas.

LDK-ja renditet e treta, me 13 për qind të votave të përgjithshme. Ky është rezultati i saj më i dobët ndonjëherë, dyfish më i ulët se në zgjedhjet e para një viti e gjysmë. Në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-së, Lidhja Demokratike doli e dyta me 1 për qind dallim nga vendi i parë.

Kurti fitoren e sotme arriti, duke e pasur në listë numër dy, kandidaten e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmanin.

Uji që rrodhi nën urë prej zgjedhjeve të 6 tetorit  u përkthye në dëm të LDK’së.

Në zgjedhjet e vitit 2019, ku morën pjesë në zgjedhje 841 mijë votues, LVV-ja doli e para, ndërsa LDK-ja e dyta.

Të dyja, siç kishin premtuar votuesit e tyre, nisën negociatat me njëra-tjetrën për ta formuar Qeverinë me “Koalicionin e shpresës”. Qeveria u formua më 4 shkurt të vitit 2020 dhe jetoi rreth 50 ditë.

LDK-ja prishi koalicionin me LVV-në dhe nisi mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti. Prishja e Qeverisë ndodhi pas Kurti e shkarkoi njeriun e LDK-së në Qeveri, Agim Veliun, nga pozita e Ministrit të Brendshëm. Arsyetimi i Kurtit ishte se po e shkarkonte për një deklaratë të dhënë në një emision televiziv. LDK-ja nuk e kapërdinte vendimin, sipas tyre, të njëanshëm të Kurtit dhe në çakordim me marrëveshjen që palët e kishin nënshkruar.

Në mocionin e mosbesimit, LDK-ja rendiste si arsye kryesore “prishjen e raporteve me SHBA-në”, që, sipas saj, Kurti e kishte bërë.

Kurti, si kryeministër, kishte refuzuar t’i bindej kërkesës së SHBA-së për heqje të reciprocitetit ndaj Serbisë, edhe kur njerëz të afërt të ish-presidentit Donald Trump, përfshirë djalin e tij, kishin paralajmëruar heqjen e trupave amerikane nga Kosova. Nga ana tjetër, SHBA-ja nisi sanksionet e saj, fillimisht duke ndalur projektet e financuara nga “Sfidat e Mijëvjeçarit”.

Kurti qëndroi si kryeministër nga 4 shkurti deri më 25 mars, ndërsa ditët e fundit të mandatit të tij kalonin me tensione të rritura mes tij dhe emisarit të presidentit Trump, Richard Grenell.

Derisa mosmarrëveshjet e tij me përfaqësuesin e SHBA-së dhe me partnerin e tij në Qeveri po rriteshin, në një konferencë nga Qeveria, Kurti njëherë tha “Unë kurrë nuk mbijetoj, unë gjithmonë jetoj, fuqishëm”.

Sonte, Kurti doli para simpatizantëve të tij, me Vjosa Osmanin në krah, si fitues i zgjedhjeve.

Ai tha se pushteti i tij nuk do të hakmerret ndaj të tjerëve “por do të kërkojë përgjegjësi”.

“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi. Kjo ditë do të mbahet mend nga gjeneratat që do të vijnë si ditë kur fitorja u erdhi qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje garën për pushtet, si parti, e ka nisur në vitin 2010, pas disa viteve në rrugë, duke kundërshtuar fillimisht marrëveshjen e Rambujesë, më pas negociatat me Serbinë, Pakon e Ahtisaarit, simbolet shtetërore. /

Related posts