970×90
970×90
970×90
970×90

Sigurimi shëndetësor për policët – edhe një premtim i parealizuar

Sigurimi shëndetësor për policët – edhe një premtim i parealizuar

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, thotë se u infektua me COVID-19 gjatë orarit të punës. Shërimi i tij i kushtoi afro 2 mijë euro. Në mungesë të një sigurimi shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Tasholli, u detyrua që të paguajë vetë për shërimin e tij.


“Në orar të punës kam qenë kur jam infektuar. Bile, kam qenë duke u përgatitë për një intervistë dhe kam pasur vështirësi edhe për dhënien e intervistës dhe të nesërmen kam hyrë në spital”.

“Unë kam pasur COVID, por ‘COVID-i im’ ka kushtuar 1 mijë e 700 euro. Edhe nuk jam paguar për atë shërim”, shprehet Tasholli, i cili njëherësh është edhe kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Në secilën palë zgjedhje, partitë politike premtojnë për sigurim shëndetësor dhe jetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Të gjitha Qeveritë deri më tani kanë premtuar, por premtimet e tyre kanë qenë të kota”, thotë Tasholli.

Sidoqoftë, në mungesë të një politike për sigurimin shëndetësor dhe jetësor të nëntë mijë policëve, Policia e Kosovës ka gjetur një alternativë.

Nëpërmjet një përgjigje me shkrim nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës të dhënë për Radion Evropa e Lirë, edhe pse nuk ka sigurim shëndetësor për punonjësit policorë të lënduar në detyrë, ata kanë përkrahje shëndetësore.

“Për çdo lëndim në detyrë, në raste se nuk ka trajtim në Kosovë, Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore përcjell kërkesën për trajtim jashtë vendit në Ministri të Shëndetësisë. Nëse kërkesa aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, ministria mbulon shpenzimet e trajtimit, kurse pjesa e mbetur financohet nga PK-ja (nëse e lejon buxheti). Nëse kërkesa nuk aprovohet për shërim jashtë vendit nga Ministria e Shëndetësisë, PK-ja mbulon shpenzimet e trajtimit mjekësor për trajtim jashtë vendit (nëse lejon buxheti i PK-së)”, thuhet në përgjigjen dhënë për REL-in.

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, tregon se që nga viti 2018 gjatë takimeve me Policinë e Kosovës është formuar një grup punues me të gjitha kompanitë e sigurimeve dhe është prezantuar një raport ku parashiheshin tri pako të ndryshme të sigurimeve. Madje, aty është paraparë edhe çmimi që do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës.

“Shuma vjetore ishte 3.7 deri në 4 milionë euro për 9 mijë policë sa janë në Kosovë. Ky fond ka qenë për dy polica, edhe për sigurimin jetësor dhe shëndetësor”, thotë Mazreku.

Sipas tij, dokument-propozimi është dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Komisione Parlamentare e në Qeveri.

“Unë e kam parë që nuk ka pasur vullnet politik që dikush të merret me këtë punë”, thotë ai.

Mazreku gjykon që një prej arsyeve pse nuk ka pasur vullnet politik për ta realizuar sigurimin shëndetësor e jetësor të policëve, është se partitë kanë pritur që të kalojë Ligji për sigurime shëndetësore publike, e në këtë mënyrë të sigurohen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Por, Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar në vitin 2014 nga Kuvendi i Kosovës, por asnjëherë nuk është zbatuar.

Sipas kreut të Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në Kosovë ende nuk janë plotësuar të gjitha parakushtet që të zbatohet Ligji për sigurimet shëndetësore. Syla gjykon që ky është një proces i gjatë dhe që së pari duhet të bëhet sistemi informativ shëndetësor që kërkon shumë përkushtim nga Qeveria.

“Ky ligj ka kaluar në vija të trasha. Ai ka kaluar si ka kaluar, pa u kalkuluar mirë të gjitha dhe pa një diskutim në një debat publik. Nuk e kemi një sistem informativ i cili kërkon kohë jashtëzakonisht të madhe, nuk e kemi një ligj të protokolleve, një ligj të sëmundjeve etj.”, sqaron Syla.

Sipas tij, Ligji për sigurime shëndetësore kërkon kohë për t’u zbatuar.

“Nuk është Ligji i sigurimeve shëndetësore ai që bëhet vetvetiu, pa qenë të implikuara të gjitha ministritë. Në këtë rast vetëm Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta bëjë këtë, janë edhe ministritë e tjera, pra parakushtet, të cilat kërkohen minimumi nëse fillohet sot i duhen dy vjet, e pas dy vjetësh mund të flasim për fillimin e implementimit”, thekson Syla.

Federata që udhëhiqet nga Syla, iu është adresuar partive politike lidhur me mënyrën se si mendojnë që ta realizojnë këtë politikë, pasi ai gjykon që disa parti premtimin për sigurime shëndetësore nuk e kanë ndryshuar nga zgjedhjet e vitit 2019.

“Çdo premtim elektoral, i cili sot del, thuhet që do të bëhet brenda këtij mandati, e unë mendoj që është premtim bosh”, shton ai.

Pikërisht për shkak të mungesës së një ligji për sigurime shëndetësore, kreu i Byrosë për Sigurime Shëndetësore, Mazreku, thotë që ata kanë menduar alternativën se si policët të kenë sigurim shëndetësor dhe jetësor.

“Ne u kemi thënë ndani fondet për aq kohë sa ju mendoni që Ligji për sigurime publike nuk do të hyjë në fuqi”, thekson Mazreku.

Deri më tani, sipas Mazrekut, asnjë parti nuk ka kontaktuar me Byronë për Sigurime Shëndetësore për të marrë më shumë informata lidhur me çështjen e sigurimeve shëndetësore në përgjithësi dhe sigurimit shëndetësor e jetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Ndonëse asnjë parti nuk ka kërkuar informata në Byronë për Sigurime Shëndetësore, partitë në programet e tyre e parashohin sigurimin shëndetësor.

Në planin për shëndetësi nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet që: “Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike është detyrë jona, për të cilën zotohem para jush se do të përmbushet”.

Gjithashtu, veçmas nga sigurimet shëndetësore publike, Vetëvendosje në planin për Sigurime Publike parasheh edhe sigurim shëndetësor e jetësor për policët.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në prioritetet dhe parimet në shëndetësi në pikën e katërt parasheh sigurimet shëndetësore.

Kurse Partia Demokratike e Kosovës në planin për rimëkëmbje të shëndetësisë ka plan që sigurimet shëndetësore t’i realizojë brenda tre mujorit të parë të qeverisjes së saj.

Related posts