Më 2 maj të vitit 2011, shtatë vite më parë, një ekip special i forcave elitare ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zbarkoi me helikopterë në një vend sekret në Pakistan, transmeton gazetametro.net
Ata i kishin udhëzimet të qarta: po shkonin për t’i dhënë fund një prej ndjekjeve më të gjata të historisë amerikane dhe kishin edhe leje për të vrarë. Bëhej fjalë për Osama bin Ladenin, kreun e organizatës terroriste Al-Qaeda, që ishte në kërkim nga amerikanët që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington.
Vendi ku po strehohej bin Laden ishte zbuluar përmes një korrieri që i dërgonte atij disa gjëra elementare çdo ditë. Operacioni ishte bashkëpunim i shumë agjencive amerikane të inteligjencës dhe ushtrisë, që kulmoi me vrasjen e tij në një operacion që u nis nga Afganistani, shtet fqinj me Pakistanin.
Bin Laden po fshihej në një shtëpi të madhe në Abbottabad. Forcat DEVGRU e vranë, e morën trupin dhe pas identifikimit e varrosën në detin arab duke respektuar traditën e islamit.
Vrasja e tij shënoi fillimin e fundit të Al-Qaedës, kurse operacioni ka shërbyer si temë për libra e filma të shumtë. /gazetametro.net