Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se gara në këto zgjedhje është midis të njohurës dhe të panjohurës.
Si e njohur, Krasniqi i është referuar Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se është partia që ka ndërtuar shtetin dhe që garanton shtetësinë, stabilitetin dhe sigurinë për qytetarët.
Në anën tjetër, si e panjohur i është referuar Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se është gabim nëse qytetarët vendosin që ta provojnë një të keqe të tillë.
“E keqja nuk duhet provuar”, tha Krasniqi në emisionin Analizë në RTK.
Krasniqi tha se Vetëvendosja është parti e cila tenton ta marrë pushtetin për ta kthyer Kosovën në diktaturë dhe për ta zhbërë shtetin. Këtë, ai e quajti fyerje për qytetarët e Kosovës.