
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se institucioni që drejton është i vendosur që të përballen me çdo formë të krimit.
Në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ai ka thënë se në këtë rrugë nuk do të mund t’i ndalë askush, raporton “Epoka e re”. “Gjatë vitit që e lamë pas, ne kemi qenë unikë, duke treguar forcën tonë që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit, si dhe kemi dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit”, ka deklaruar ai.
Ai ka deklaruar se shoqëria me të drejtë pret nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridike-shoqërore.
“Prandaj është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial”, ka deklaruar Lumezi.