Dita e fundit e prillit ishte afati kur zv.ministrat e qeverisë së Kosovës duhet ta dorëzonin raportin e punës tek kryeministri, Ramush Haradinaj.
Por a e kanë kryer këtë obligim armata e zv.minstrave të Kosovës?
Televizioni 7 ka shkuar në qeveri për t’i pyetur për këtë gjë.
Por në këtë ditë, kur shumë zyrtarë, kanë lidhur vikendin me një majin, ata nuk janë parë në zyrë.
Në Ministrinë e Mjedisit asnjë nga gjashtë zv. ministrat nuk ishte në vendin e tyre të punës.
E njëjta situatë ishte edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Kulturës.
Megjithatë, zv.ministrat e kanë dërguar raportin për 100 ditësh e punës së tyre në Qeverinë Haradinaj.
E ky i fundit me mbledhjen e raporteve e ka ngarkuar Koordinatorin Nacional të Reformave Shtetërore, Besnik Tahirin, i cili për Frontal tha se vetëm zv.ministrat që nuk i kanë mbushur ende 100 ditë punë, nuk i kanë dorëzuar raportet.
Ndërsa në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj nuk shprehet shumë optimist për këtë punë, duke e quajtur vetëm mashtrim të opinionit.
Qeveria e Kosovës, aktualisht ka 74 zv.ministra në 21 ministri të ndryshme.