Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të vazhdojë me organizimin e tryezës së radhës me partitë politike kosovare. Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu.
Ai ka thënë se në tryezën e parë të organizuar nga LDK’ja, partitë politike janë marrë vesh që kjo tryezë të thirret nga partitë tjera politike.
“Po, do të mbahen takime tjera. Jemi marrë vesh që takimet me i bë në rotacion”, ka deklaruar Veliu.
Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Veliu ka thënë se do të provohet të gjendet një marrëveshje e përbashkët mes partive politike pas takimeve që do të mbajnë, në të kundërtën secila parti politike do të merr qëndrimin e vet.
“Ne do të vazhdojmë bisedat, ne kemi theksuar se cilat janë çështjet e rëndësishme për Kosovën në këtë moment, dhe nëse e gjejmë ndonjë konsensus vazhdojmë tutje, dhe nëse nuk gjejmë atëherë secili subjekt i shqyrton pozicionet e veta dhe del me qëndrim”, ka deklaruar Veliu.
I pyetur nëse LDK’ja është zmbrapsur nga kërkesa për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, Veliu ka thënë se ky nuk ka qenë qëndrimi i LDK’së.
Ai ka thënë se LDK’ja e ka ftuar tryezën me partitë politike, pasi kanë konsideruar se vendi është në një krizë institucionale dhe politike.
“Jo nuk ka pasur LDK’ja qëndrim. Qëndrimi i Kryesisë së LDK’së , ka qenë që ne fillimisht të bëjmë përpjekje për një tryezë politike, ku do të ftohet partitë politike në mënyrë që të diskutojmë çështjeje, për të cilat kemi vlerësuar se vendi është në krizë në institucionale dhe politike”, është shprehur Veliu për Periskopin.
Sipas tij, tashmë u mbetet partive tjera që të thërrasin takim të formatit të ngjashëm, pasi që problemet dhe çështjet madhore nuk janë vetëm probleme të LDK’së, por të gjithë spektrit politik.
“Partitë politike kanë ardhë, kemi diskutuar dhe jemi marrë vesh me vazhdu. Takimin e radhës do ta organizojnë partitë tjera. Edhe fillimisht kemi menduar që t’i ftojmë të gjitha partitë në tryezë, sepse çështjet madhore, nuk i takojnë vetëm LDK’së, apo vetëm një koalicioni, por të gjithë spektrit politik”, ka përfunduar Veliu për Periskopin.
Tryeza e parë e thirrur nga Lidhja Demokratike ishte mbajtur me datë 25 prill, dhe në të kishin marrë pjesë të gjithë partitë politike kosovare.
Kjo tryezë në mungesë të kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, ishte udhëhequr nga nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu.
Një nga pikat kryesore të tryezës së organizuar nga LDK’ja, ishte përgatitja për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.