Kështu ka bërë me dije për gazetën “Zëri”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3 deri më 5 maj.
Me këtë rast, Hoxha ka bërë me dije se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështje.
“Delegacioni vlerësues i BE-së do të jetë në Kosovë javën e ardhshme, nga data 3-5 maj. Ata kanë paraparë një agjendë të ngjeshur takimesh me të gjitha institucionet, ku puna e tyre ndërlidhet me zbatimin e kriterit të rasteve të shenjëzuara, ndryshe të njohur edhe si ‘Track Record’, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ministria e Integrimit ka bërë koordinimin e agjendës me misionin nga BE-ja dhe institucionet tona”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha është shprehur optimiste se brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
“Duke u bazuar në dinamikën e procesit të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së dhe nga proceset e liberalizimit të vizave që kanë kaluar vendet e rajonit, unë pres që qytetarët tanë të lëvizin të lirë deri në fund të këtij viti. Ne kemi plotësuar 95 kriteret për këtë proces, është bërë punë e madhe dhe me të drejtë presim që izolimi i qytetarëve tanë të marrë fund deri në fund të këtij viti, pra ata të lëvizin të lirë”, është shprehur ajo.