
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës në Bruksel u mirëprit sot në Parlamentin e Belgjikës nga presidentja e Senatit, Stephanie D’Hose dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Eliane Tillieux.
Osmani i falënderoi për mbështetjen që ka ofruar Belgjika për popullin e Kosovës në kohët më të vështira, si për dhe procese të ndryshme strategjike në fazën e shtetëndërtimit të vendit.
Më tej, u.d. presidentja Osmani theksoi rëndësinë e madhe që ka partneriteti i Kosovës me Belgjikën për finalizimin e procesit të integrimit të Kosovës në familjen Evropiane.
Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje politike, por mbi të gjitha vullnet i përgjithshëm i popullit më pro-evropian.
Duke folur për rëndësinë e sundimit të ligjit, investimit në arsim dhe shëndetësi për zhvillimin e vendit, Osmani tha se Belgjika mbetet një shtet model për Kosovën për shumë prej të arriturave të saj.
Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani ka theksuar se liberalizimi i vizave do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës të marrin më të mirën e Evropës dhe ta sjellin atë në Kosovë, teksa do ta ofronte Evropën më afër një kapitali të jashtëzakonshëm njerëzor, duke iu referuar rinisë kosovare.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në avancimin e diplomacisë parlamentare, bashkëpunim ekonomik, si dhe rimëkëmbjen duke investuar në arsim, shëndetësi, mbrojtje të mjedisit, si dhe në avancimin e përfaqësimit gjinor në çdo fushë.