
Analisti politik Armend Muja i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Shkruan Gazeta Prohekti.
Lajmin për aderimin e Mujës në LVV e ka bërë të ditur Ish- kryeministri Albin Kurti, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.
Muja, dy jave më parë, ka mohuar se është duke negociuar me Lëvizjen Vetëvendosje, për futjen e tij në listat e kësaj partie si kandidat për deputet.
“Jo ky lajm nuk është i vërtetë, e as këto lajme të thirrura me burime. Unë nuk kam informacione të tilla, e as nuk i kam parë, për shkak të angazhimeve që kam pasur gjatë ditës”, ka thënë ai.
Postimi i plotë i Kurtit:
Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme. Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje.
Ndryshe, ish-analisti Muja njihet për përkrahjen që i ka bërë LVV-së në paraqitjet e tij publike.