970×90
970×90
970×90
970×90

LDK dhe AKR shkojnë bashkë në zgjedhje

LDK dhe AKR shkojnë bashkë në zgjedhje

Pavarësisht se kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e afatit të KQZ-së për regjistrimin e koalicioneve, ende s’ka asgjë zyrtare sa i përket bashkëpunimit parazgjedhor mes LDK-së dhe AKR-së, edhe pse AKR-ja thotë se shkuarja në zgjedhje bashkë me partinë që drejton Isa Mustafa është punë e kryer dhe se kanë mbetur për diskutim vetëm modalitetet e marrëveshjes.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli. Ai ka deklaruar se marrëveshja është kryer dhe se tashmë po diskutohet nëse do të shkojnë si dy parti në koalicion apo nëse do të shkrihen në listën e LDK-së.

“Po ne me LDK-në do të shkojmë së bashku në zgjedhje. Koalicioni ende nuk është zyrtarizuar por e sigurt është që po me LDK-në do të shkojmë. Kemi mbetur të flasim edhe për çështjen e listës, numrit të anëtarëve të AKR-së që do të jenë pjesë e listës së LDK-së ose nëse të dyja do të garojnë si parti në koalicion. Shumë shpejt do të zyrtarizohet koalicioni dhe do të bëhet publik”, ka thënë ai.

Gazeta Express ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithatë zëdhënësi Besian Mustafa ka qenë i paqasshëm.

Edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se deri në këto momente nuk kanë pranuar asnjë deklarim për koalicion.

“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike.  Deri në këto momente nuk kemi pranuar asnjë deklarim për koalicione”, ka thënë më tutje ai për Express.

Elezi ka folur edhe për disa rregulla të cilat duhet t’i kenë parasysh partitë politike.

“Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë. Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje”, ka thënë ai.

Më tutje, zëdhënësi i KQZ-së tha se partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër.

“Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit”, ka deklaruar Elezi.

Për punën e koalicioneve parazgjedhore ka folur në fundjavën e kaluar kreu i LDK-së. Isa Mustafa në një intervistë për Express ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në listë të bashkëpunëtorëve që LDK-ja ka pasur në të kaluarën.

“LDK hyn në zgjedhje pa koalicione parazgjedhore, hyn vetëm me logon e LDK-së. Disa subjekte dhe individë, me të cilët kemi bashkëpunuar edhe në të kaluarën, mund t’i përfshijmë në listën tonë”, ka thënë Mustafa për Express.

Kujtojmë që ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka caktuar 14 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Related posts