Mbrëmjen e së shtunës qytetarët e Kosovës u tronditën nga lajmi për aksidentin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë me veturë në lumin Lepenc. Kërkimet për ta filluan menjëherë por ende nuk kanë rezultuar me gjetjen e trupave të tyre. Besohet se rrjedha e lumit ka mundur t’i dërgojë ata jashtë kufirit të Kosovës, për këtë arsye kërkimi po bëhet edhe në pjesën maqedonase.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka thënë se kanë krijuar kontakte me palën maqedonase për të kërkuar trupat e dy policëve, që u aksidentuan të shtunën mbrëma, me veturë e cila kishte rënë në lumin Lepenc, shkruan Gazeta Express.
Vetura është nxjerrë mbrëmë nga lumi Lepenc. Ndërkohë që klan Kosova ka raportuar se nga vendi i ngjarjes janë nxjerrë edhe gjymtyrë të policëve të aksidentuar.
Përveç njësiteve policore, FSK-së, zjarrëfikësve, shumë qytetarë po vazhdojnë edhe më tutje që të ndihmojnë në kërkimin e dy policëve të zhdukur.
Ndërkohë që krerët më të lartë të shtetit kanë reaguar lidhur me rastin dhe kanë bashkëndierë dhimbjen me familjarët e tyre.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se nga themelimi i këtij institucioni deri më tani në detyrë zyrtare kanë rënë 17 policë.