Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigursë së Kosovës në misione paqeruajtëse në Gardën Kombëtare të Iowa-s, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot.
Përpara kësaj, ata votuan me 82 vota për që të shmangin rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së dërgimit të kontigjentit të Forcave të Sigurisë së Kosovës për misione paqeruajtëse me forcat amerikane, përcjell Gazeta Express.
Fjalë rasti para votimit morën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni. Këta të fundit e vlerësuan lart kërkesën e SHBA’së për bashkëpunim me FSK’në në misione paqëruajtëse.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore për dërgimin e FSK’së në Iowa. Qeveria e Republikës Kosovës, sipas kërkesave ligjore, vendimin e saj e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës. Sot, së bashku, iu ftoj ta pohojmë para miqve të botës se jemi në gjendje t’i bëjmë ballë përgjegjësisë që na takon. Duke e votuar këtë propozim, ju do ta shkruani një faqe të re dhe jashtzëakonisht të rëndësishme në udhën e sigurisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqëruejtëse”, deklaroi kryeministri Hoti.
Kryesuesi i dikasterit të Mbrojtjes, ka thënë se puna e FSK’së po vlerësohet edhe përtej kufinjve.
“Ministria e Mbrojtjes si dikaster përgjegjës qeveritar për mbrojtje dhe siguri, sipas kërkesës së SHBA’ve, lidhur me bashkëzbarkimin e misioneve për ofrimin e misioneve për stabilitet rajonal, ka konsideruar kërkesën dhe i është përgjigjur pozitivisht. Ministria e Mbrojtjes i ka bashkërenduar veprimet përmes rrugëve diplomatike dhe ligjore. Kosova tashmë ka një traditë bashkëpunimi me Iowa-n. Përkushtimi, integriteti dhe profesionalizmi i FSK’së, jo vetëm që po vlerësohet në normat më të larta nga qytetarët e Kosovës, por ajo po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku, ka pasur kritika për qeverinë aktuale për shkurtimet buxhetore ndaj FSK’së, të cilës iu bënë përgjatë vitit të kaluar.
“Shkurtimi i buxhetit për FSK që ka pasur pikëpyetje, si ka mundur të ndodh kjo. Vendimet që ka marrë kjo qeveri janë në shpërputhje të plotë me planin e tranzicionit të FSK’së në ushtri. Me këtë buxhet që ka paraparë kjo qeveri, nuk mund të avancohen kapacitete të reja”, ka deklaruar ajo.
Komisioni për Çështje të Sigurisë për Mbrojtje i ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet propozimi i këtillë nga deputetët e Kuvendit.
Opozita e legjislaturës së shtatë ka akuzuar qeverinë për vonesën e parashtrimit të kërkesës së dërgimit të trupave të FSK’së jashtë vendit. Ata përkujtuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po të vinte, do ta rrëzonte qeverinë dhe do ta pamundësonte një votim të tillë.
FSK, për të satin vit radhazi, është votuar si institucioni më i besueshëm në Kosovë.