
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Kosovë dhe anasjelltas, për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MSH’ja ka njoftuar se të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetë-izolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.
“Vendimi udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në komunikatë.
Për të gjithë personat fizik dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, teksa krijimi i vaksinave efektive anti-COVID po ofron shpresë për një rrugëdalje nga pandemia, zyrtarët në Britani e ndezën alarmin urgjent për atë që ata e quajtën një variant të ri ngjitës të koronavirusit që po qarkullon në Angli. Duke përmendur përhapjen e shpejtë të virusit nëpër Londër dhe zonat përreth, kryeministri Boris Johnson vendosi bllokimin më të rreptë të vendit që nga marsi. “Kur virusi ndryshon metodën e tij të sulmit, ne duhet të ndryshojmë metodën tonë të mbrojtjes”, tha ai.
Varianti britanik ka rreth 20 mutacione, përfshirë disa që ndikojnë në mënyrën se si ai bllokohet në qelizat njerëzore dhe i infekton ato. Këto mutacione mund të lejojnë që varianti të replikohet dhe transmetohet në mënyrë më efikase, rreth 70% më shpejtë se ai i zakonshmi, tha Muge Cevik, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e St. Andrews në Skoci dhe këshilltar shkencor i qeverisë britanike.
Komunikata e plotë:
Bazuar në kompetencat e ti lidhur me masat anti-covid, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka nxjerrë sot vendim për masa të veçanta për mbrojtje nga përhapja e infeksionit/sëmundja Covid-19 për pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas.
Të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetë-izolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.
Vendimi udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.
Për të gjithë personat fizik dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.