
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar për sulmin që i është bërë sot gazetarit dhe drejtorit të Metros, Valon Syla.
Hoxhaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se dhuna nuk është përgjigje ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, pavarësisht a pajtohemi gjithmonë me mendimin e tij apo jo, është një akt qyqar dhe që njollosë vetë themelet e shtetit tonë.”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Dhuna asnjëherë nuk duhet të jetë përgjigje ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Liria e mendimit është arritja më e madhe e një demokracie – vlerë të cilën e kemi përqafuar dhe ruajtur me mund.
Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, pavarësisht a pajtohemi gjithmonë me mendimin e tij apo jo, është një akt qyqar dhe që njollosë vetë themelet e shtetit tonë.
Në Kosovë, fatëkeqësisht, kohëve të fundit edhe nga parti të ndryshme politike është kultivuar një diskurs që nxitë dhunën në shoqërinë tonë.
Kjo mendësi duhet të ndalet tani, menjëherë, dhe të gjithë së bashku duhet ta mbrojmë me forcën e fjalës dhe të ligjit lirinë për t’u shprehur.