
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbërritur në Presidencë, ku po e pret ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me datën e zgjedhjeve
Kurti është parë duke zbritur nga vetura dhe duke u futur me shpejtësi në Presidencë. Ai është i pari nga liderët e partive politike që do të takohet me Vjosa Osmanin pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtuese që urdhëroi shkuarjen në zgjedhje.
Pas Kurtit, Osmani do të takohet me një përfaqësues nga LDK-ja, pastaj me nënkryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe në fund të ditës me Besnik Tahirin nga AAK-ja.
“Nesër u.d. Presidentja Osmani do të vijojë takimet me përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Qeveria e Kosovës u rrëzua të hënën në mbrëmje pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën zgjedhjen e ekzekutivit, më 3 qershor.
Gjykata Kushtetuese vendosi se vota e deputetit Etem Arifi – i cili është i dënuar me burgim – për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte e pavlefshme.
Lëvizja Vetëvendosje i është gëzuar më së shumti këtij vendimi që u dha të drejtë pretendimeve të paraqitura nga ky subjekt politik në Kushtetuese në korrik. Partia Demokratike e Kosovës po ashtu u shpreh se e mirëpret këtë aktgjykim. Përafërsisht njësoj u deklarua edhe Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa partitë e koalicionit qeverisës s’janë deklaruar ende zyrtarisht.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në orën 13:00 do t’i mbledhë në takim partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre. /