970×90
970×90
970×90
970×90

Kur do t’iu shfaqet Isa Mustafa qytetarëve?

Kur do t’iu shfaqet Isa Mustafa qytetarëve?

Isa Mustafa është kthyer në Kosovë para 20 ditësh, pas qëndrimit disa muajsh në Gjermani për shërim. Që prej kthimit të tij, ishin paralajmëruar dy aktivitete ku Mustafa mund të prezantohej por kreu i LDK-së në asnjërën prej tyre s’ishte shfaqur. Ai ka pritur vizitorë në shtëpi përfshirë Presidentin Hashim Thaçi, bashkëpunëtorë partiakë dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë, Fatmir Limajn, i cili tha se gjendja e kreut të LDK-së është shkëlqyeshme që u konfirmua dhe nga nënkryetari Lutfi Haziri. Në LDK thonë “së shpejti”, por ende mbetet e paqartë se kur do të jetë aktiviteti i parë i Isa Mustafës

Ish-shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, kaloi katër muaj në qendrën e rehabilitimit fizioterapeutik, në qytetin jugperëndimor, Pforzheim, të Gjermanisë pas komplikimeve që pati me shëndetin e tij.

Mustafa nuk ishte në Kosovë atëherë kur vendi po përballej me votimin e Demarkacionit, megjithëse nga Gjermania u kërkoi deputetëve të tij ta japin votën e tyre që shteti të ecte përpara me proceset e mëdha.

Por, edhe pas kthimit të tij në Kosovë, më 7 prill të këtij viti, kryetari i LDK-së me gjasë ende nuk po ndihet mjaftueshëm i fuqishëm për nga aspekti fizik që t’u dalë në publik qytetarëve dhe skenës politike.

“Shumë shpejt” thotë për Gazetën Express, shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, kur pyetet për paraqitjen e Mustafës në publik, duke mos e zgjatur më shumë se kur nënkupton kjo “shumë shpejt”.

LDK-ja kishte insistuar në zgjedhje të reja dhe rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, nga ku ditë më parë pikërisht Mustafa u dërgoi letër partive politike ku edhe i ftoi në një tryezë për t’i diskutuar temat e mëdha, përfshirë këtu edhe caktimin e datës për zgjedhje të reja. Por Mustafa nuk shkoi në tryezën që e thirri vetë.

Driton Selmanaj nga LDK-ja deklaroi këtë të mërkurë se Mustafa është kthyer në Kosovë, mirëpo ai ende nuk është i gatshëm në kapacitetin e tij të plotë që t’u kthehet angazhimeve në politikë. Selmanaj shpreson që rikthimi i Mustafës në angazhimet politike është çështje ditësh.

Ndërkaq, që nga mungesa e Isa Mustafës dhe kthimit të tij në Kosovë, vetë zyrtarët e partisë së LDK-së shfaqën ambiciet e tyre se kush duhet të jetë kryeministër nga radhët e partisë së tyre. Ani pse përmes paraqitjeve të tyre publike deklaronin se vazhdon të ketë unitet të madh brenda LDK-së.

Isa Mustafa në vitin 2010, atëherë në pozitën e kryetarit të Prishtinës, pati udhëtuar për në Bruksel, për t’iu nënshtruar një intervenimi në zemër.

Lideri aktual i LDK-së ka mbajtur pozita të lartë në hierarkinë komuniste para viteve të ’90-ta. Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e kryeministrit Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit. /D.K/GazetaExpress

 

Related posts