
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar kontribuesit në Fondin Pensional, se paratë e tërhequra nga Trusti nuk do të tatohen.
Në një njoftim për media, ATK-ja ka deklaruar se paratë të cilat lejohen të tërhiqen nga Fondi i Kursimeve Pensionale, “janë të ardhura të përjashtuara nga Tatimi në të Ardhurat Personale”.
“Neni 6 i Ligjit për Nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili plotëson dhe ndryshon nenin 8 të Ligjit Nr. 05/L – 028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, pëcakton se paratë e tëhequra nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës apo në fondet pensionale për rimëkëmbje ekonomike, janë të ardhura të përjashtuara nga Tatimi në të Ardhura Personale”, njofton ATK-ja.
Sipas njoftimit të ATK-së, të mbështetur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, “Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës apo fondet pensionale për rimëkëmbje ekonomike me rastin e pagesës së kursimeve individuale pensionale për rimëkëmbje ekonomike, nuk mbajnë tatimin në burim, pra shuma e transferuar te përfituesi bëhet në vlerën bruto”.
Aplikimi për tërheqjen e 10 për qindëshit të mjeteve nga Trusti ka nisur sot, por me shumë parregullsi, në orën 15:00. Uebsajti, përmes të cilit është paraparë aplikimi për tërheqjen e mjeteve, ka rënë disa herë gjatë ditës për shkak të mbingarkesës.
Në një njoftim të mëhershëm, Fondi i Kursimeve Pensionale ka bërë thirrje që për aplikim të përdoret një uebsajt alternativ.
Sipas FKPK-së, në orët e para pas hapjes së aplikimit, rreth 30 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për aplikim në tërheqje të 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale.