
Ideatori i shtatores së Skënderbeut në Prizren, Nue Oroshi është deklaruar rreth kritikave që janë bërë rreth shtatores së Skënderbeut , e cila është zbuluar në Prizren me rastin e festës së 28 Nëntorit.
Oroshi ka sqaruar gjithë ecurinë e punës për monumentin e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në Prizren.
“Fillimisht më vjen mirë që monumenti i parë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren ka ngjallur debate të mëdha. Këtë e shikoj si normale sepse e kemi monumentin e parë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në të gjitha trojet etnike shqiptare, jashtë vlerave të realizmit socialist. Kjo i ka tërbuar të gjithë ata historian të artit dhe skulptor të cilët nuk mundën që të dalin jashtë vlerave të realizmit socialist”, është thënë në reagimin e Oroshit.
Reagimi i plotë:
Sqarim për opinionin gjithëshqiptar lidhur me ecurinë e punës për monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren
Fillimisht më vjen mirë që monumenti i parë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren ka ngjallur debate të mëdha.
Këtë e shikoj si normale sepse e kemi monumentin e parë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në të gjitha trojet etnike shqiptare, jashtë vlerave të realizmit socialist.
Kjo i ka tërbuar të gjithë ata historian të artit dhe skulptor të cilët nuk mundën që të dalin jashtë vlerave të realizmit socialist.
Sa i përket porosisë së monumentit si historian i mesjetës, kur e kam bërë porosinë i kam sugjeruar autorit që ti ketë katër elemente që do ti cekë më poshtë:
1. Përkrenaren ku edhe e ka në kokë,
2. Aktin diplomatik apo volume mesjetare që e ka po ashtu në dorë,
3. Shqiponjën që e ka në gjoks dhe
4. Veshjen e një kalorësi mesjetar perëndimor që e kanë pasur mbretërit perëndimor në këtë periudhë kohore.
Të gjitha këto elemente i posedon monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren. Këto u thanë edhe në debatin që organizojë “Top Channel”.
Më këtë dëshiroj të theksoi se monumenti i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nuk ka fare të bëj me pamje otomane. Anën artistike ia kemi lënë autorit të punimit. Natyrisht edhe autori si skulptor e historian që është, ka lexuar shumë literaturë historike, gjë që mund të ketë lexuar edhe kronikat osmane që është krejt e natyrshme për një skulptor dhe historian.
Por ajo që po shoh nëpër debate është se kritikëve të artit si dhe skulptorëve me idetë e realizmit socialist në Tiranë dhe Prishtinë ju ka ikur zogu nga dora pa e parë fare. Problemi qëndron se me këtë skulpturën autentike të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren, janë thyer klishetë e komunizmit në aspektin e skulpturës.