Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian”, organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan ka kërkuar që partitë politike të lënë anash etiketimin dhe luftën në mes vete, dhe të bëhen bashkë, të paktën në temat e mëdha që e presin vendin.
Ai ka thënë se me këtë kthesë nënkupton gadishmërinë që, në vend të polarizimit dhe dëshirës për ta mundur me çdo formë njeri tjetrin, t’i jepet prioritet kompromisit e konsensusit të përbashkët për çështjet e interesit nacional të vendit.
“Duhet ta pranojmë se po humbim kohë dhe vendi po mbetet prapa për shkak të polarizimit dhe konfliktualitetit politik për pushtet. Për tre vite kemi humbur energji duke fyer dhe etiketar njeri tjetrin, për çështje të cilat duhet të na bashkonin!”, ka thënë Veseli.
Ai në prezencë të kryeministrit Haradinaj, ka përmendur Demarkacionin, edhe pse nuk e ka specifikuar, duke thënë se në fund sërish është dashur të ktheheshin në atë pikë që ka qenë e mundur të kryhet para tri viteve.
“Kemi lënë namin dhe në fund, si papritur, kemi përfunduar diçka që hiç më ndryshe mund ta kryenim me pak qetësi dhe racionalitet edhe tre apo dy vite më parë”.
Veseli ka thënë se dekada e re e pavarësisë së Kosovës është dekada e shpresës dhe e nevojës për ndryshim të shpejtë të vendit.
Duke bërë një bilanc të 10 viteve të shtetësisë së Kosovës, kryeparlamentari Veseli tha se në pak vite Kosova ka arritur rezultate që të tjerëve u janë dashur shumë dekada t’i arrijnë. Megjithatë, Veseli tha se ka qenë e mundur të bëhet edhe më shumë, edhe më mirë.
“Sot Kosova, nëse krahasohet me vendet e regjionit, në shumë segmente zhvillimore është ose baras ose para regjionit, por nëse bëjmë krahasimin me ato vende ku synojmë të arrijmë, atëherë e shohim se dekada e re e pavarësisë duhet të jetë dekadë e punëve të mëdha të përbashkëta, e përkushtimit të palodhur të të gjithëve, për një transformim të shpejtë ekonomik, për fuqizim të shtetit që reflekton zhvillimin ekonomik”.
“Marrë parasysh faktin se proceset e shtetndërtimit gjithmonë janë komplekse dhe shoqërohen me mospajtime e kundërshtime të ndryshme, bilanci i deritanishëm është gjithsesi pozitiv. Në pak vite ne kemi arritur rezultate që të tjerëve u janë dashur shumë dekada t’i arrijnë. Kemi bërë shumë, por kemi mundur të bëjmë edhe më shumë, e realisht edhe më mirë në shumë drejtime”.
“Sot Kosova, nëse krahasohet me vendet e regjionit, në shumë segmente zhvillimore është ose baras ose para regjionit, por nëse bëjmë krahasimin me ato vende ku synojme të arrijmë, atëherë e shohim se Dekada e re e Pavarësisë duhet të jetë dekadë e punëve të mëdha të përbashkëta, e përkushtimit të palodhur të të gjithëve”, ka thënë ndër të tjera Veseli. /gazetametro.net