
Shumë prej deputetëve theksuan se Qeveria duhet të ndërmarrë sa më shpejtë hapat për t’u ndihmuar qytetarëve jo vetëm në aspektin e shërbimeve shëndetësore, por edhe ato ekonomike.
Është deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani i cili zgjodhi që në seancë të lexojë një letër që mori nga një nënë vetushqyese, që ndodhet në gjendje të rëndë ekonomike e financiare.
“Jam nënë e dy fëmijëve, njëri 5 vjeç e tjetri 10 muaj. Jetoj me qera, kam mbetur pa bukë e pa qumësht për fëmijët, jetoj e vetme pa burrë. Nuk paska më vështirë se me kërku ndihmë nga të tjerët për fëmijët”, ishin fjalët që zgjodhi Rrahmani të lexoj nga kjo letër, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se ky nuk është rasti i vetëm, kur një grua kosovare përballet dyfish më vështirë me pandeminë dhe gjendjen e rënduar ekonomike.
Ai kërkoi nga Qeveria që të jetë më e kujdesshme me këto kategori, duke kritikuar se po financojnë strukturat paralele, e në anën tjetër nuk po ndihmojnë qytetarin që çdo ditë lufton për ekzistencë.