
Kryetarja e Kuvendit dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ka njoftuar se është infektuar me Covid-19.
Osmani në një postim në Facebook ka për të ditur që rezultatin e ka marrë para pak minutash.
Ajo ka thënë se dy javët e ardhshme do të punojë nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e saj në të dy funksionet shtetërore që i ushtron të trajtohet në kohë.
Tutje, Osmani ka kërkuar nga qytetarët kujdes maksimal dhe respektim të masave.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë!
Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.
Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.
Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.
Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!
Vjosa