“Duke marr për bazë shembullin kroat të integrimeve, Kosova mund të nxjerrë përvojat më të mira në procesin e integrimeve dhe në këtë frymë ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Kroacinë, në përafrimin me familjen evropiane dhe me NATO-n”, tha Kryeministri Haradinaj.
Ai ka shtuar se Republika e Kroacisë ka dhënë mbështetje të fuqishme për Kosovën në rrugën e forcimit dhe konsolidimit të shtetësisë dhe për këtë populli dhe Qeveria e Kosovës janë mirënjohës.
Kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Kroacisë për Kosovën edhe më tutje në shtimin e numrit të njohjeve, anëtarësimin në strukturat euro-atlantike dhe në organizata ndërkombëtare.
“Homologut tim, Andrej Plenkovic, i kërkova mbështetjen kroate për zhvillimin ekonomik si dhe për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare të vendit tonë. Kroacia mund të jetë zë i fuqishëm i rajonit”, ka thënë tutje Haradinaj.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, tha se Republika e Kroacisë do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj euro-integruese dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Kryeministri Haradinaj e ka ftuar për vizitë zyrtare në Kosovë, kryeministrin Plenkovic.