
Si britaniku i parë i infektuar me koronavirus, Connor Reed (rasti 0), 26 vjeç, bëri shumë për të na ndriçuar në lidhje me koronavirusin, që në atë kohë për ne ishte tërësisht një virus i panjohur.
Ai u infektua me Covid-19, teksa punonte si mësues në një shkollë në Wuhan.
Nëpërmjet videove ai ndante simptomat e tij. Pas 24 ditësh ‘ferri’, gjatë të cilave ai u shpreh që ishte ndjerë shumë pranë vdekjes, Reed filloi të shërohej. Gjatë asaj kohe u bë një fytyrë e njohur në televizion, duke dërguar video- reportazhe nga epiqendra e pandemisë, Wuhani.
Më 25 tetor, ditën e diel, shokët e shtëpisë së Connor e gjetën atë të shtrirë në dyshemenë e dhomës gjumit. Arsyeja e vdekjes së tij deri më tani mbetet e panjohur.
Ka kaluar gati një vit që kur ai u sëmur rëndë me virusin, ndërsa jepte anglisht në Wuhan dhe dukej se shëndeti i tij ishte përmirësuar mjaft mirë.
Sipas Daily Mail, babai i Connor është shprehur se djali i tij ishte shumë optimist për jetën dhe gjatë kësaj kohe po shijonte mësimin online normalisht. Babai i Connor është i vetëdijshëm se kur një i ri vdes papritur dhe policia thotë se nuk ka ‘rrethana të dyshimta’, kjo frazë tregon pa dyshim që ai ka kryer vetëvrasje.
Megjithatë, pasi kishte mbajtur kontakte të ngushta me Connor javët e fundit dhe pas telefonatës që kishin bërë dy ditë para se të vdiste, ai thotë se asgjë nuk e bëri atë të dyshonte se djali i tij po vuante nga diçka.
Nuk kishte ndonjë tregues të qartë: asnjë shënim, asnjë shishe bosh ilaçesh; asnjë dëmtim të jashtëm fizik.
“Mund ta kuptoj pse njerëzit mund të mendojnë se ishte vetëvrasje, por unë nuk mund ta shoh si të tillë”, thotë babai i Connor, “Ai ishte i lumtur.”
“Unë kurrë nuk e kam njohur atë si përdorues droge dhe me siguri kjo është gjëja e parë që ata do të kërkojnë, por deri tani nuk kanë gjetur asnjë provë të tillë.”
“Mendova se mund të kishte lidhje me Covid, por duhet të kishte një shenjë treguese – një kollë apo diçka tjetër. Kurrë nuk mund ta dimë të vërtetën – por duhet të përpiqemi ta gjejmë atë.’
Familja e tij kanë përshkruar dhimbjen e detyrimit për ta parë varrimin e tij nga një ekran nga ana tjetër e botës dhe shpjeguan pse ata kurrë nuk mund ta dinë çfarë e shkaktoi vdekjen e djalit tyre.