Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka sulmuar LDK-në dhe ka numëruar disa nga, siç thotë ajo, dështimet e qeverisjes së LDK-së nën kryeministrin Isa Mustafa.
Në një postim, Haradinaj-Stublla tha që ishte LDK ajo që tradhtoi VLAN’in, bllokun që quhej ‘opozita e bashkuar’, të cilin këshilltarja e vlerëson si formacionin më të madh politik të krijuar ndonjëherë në historinë e re të Kosovës.
Më poshtë shkrimi i plotë i saj.
LDK-ja mendon se ne nuk mund t’a deshifrojmë lojën politike të tyre me qytetarin kosovar. E kanë gabim.
Qytetari kosovar nuk harron asnjëherë kur LDK-ja tradhëtoi VLAN-in, formacionin më të madh politik të krijuar ndonjëherë në historinë e re të Kosovës, për disa poste në Qeveri. Nuk harrohet assesi qeverisja Mustafa, që me një mandat gjysmak, menaxhoi me dështimet e Kosovës, pasojat e së cilës ende po i vuajmë e do t’i vuajmë në të ardhmen. Ja për shembull një pasqyrë e raport(eve) të progresit për vendin nën Qeverisjen qendrore të LDKsë:
- Marrëveshja për Asociacionin,
- Tentim-humbja e territorit me Demarkacionin sipas versionit Meha,
- Dështimi i formimit të ushtrisë,
- Dështimi në UNESCO,
- Dështimi në Interpol,
- Pengmbajtja e rivitalizimit të Trepçës,
- Dështim plani për 200,000 mijë vende pune,
- Sjellja e zero njohjeve,
- Dështimi për kalimin e Ligjit për Prishtinën,
- Vonesa me liberalizimin e vizave,
- Formimi i Gjykatës Speciale,
- Muri ndarës në Mitrovicë,
- Raporti alarmant i PISA-s,
- Rasti AXOS GMBH,
- Dështimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore,
- Dështimi i zgjidhjes së çështjes së energjisë, për anëtarësimin e Kosovës në ENTSO-E,
- Ofendimi i gazetarit X me fjalën ‘qen’, etj.
Si mund të harrohen pamjet drithëruese të stacionit të autobusëve në Prishtinë, prej nga 70 mijë të rinj e të reja, familje e fëmijë, kërkonin shpresën e mbytur në linjën e autobusëve për Hungari?!
Si mund t’a harrojmë kulturën politike avantureske të ish Kryeministrit Mustafa me postimet banale në Facebook, rriqrat e Malishevës, Radoniqin, e madje edhe thyerjen e fjalëkalimit të profilit zyrtar të tij në rrjetin social Facebook?
Si mund t’i mbyllim sytë kur kemi përpara kryetarë komunash anembanë Kosovës me shumë aktakuza e dyshime për korrupsion?!
…dhe lista nuk përfundon këtu!
Shkëlqimi i rrejshëm, me të cilin LDK mendon se na verbon, duke i pozicionuar ‘të rinjtë’ në frontin e parë në Kuvend, shuhet posa të mbyllen dyert e selisë së partisë, kur edhe fillon ‘shkëlqimi’ vendimmarrës i kastës së vjetër të LDKsë.
Andaj moralizimet dhe ligjëratat humoristiko-politike mendoj se duhet lënë për takimet e mbyllura të partisë, dhe assesi për lojën e hedhafajit. Historia nuk fillon dje, e nuk mbaron nesër. Kemi rrugë të gjatë përpara, e ndryshimi ka filluar më 11 shtator 2017.