Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë kushtuar Ditës së Komunitetit turk në Kosovë.
Në këtë ceremoni, e cila u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, ku të pranishëm ishin deputetët nga komuniteti turk në Kosovë, ambasadorë dhe përfaqësues të shumtë nga jeta politike dhe kulturore, kryeministri Haradinaj, ka thënë se shqiptarët dhe turqit në Kosovë nuk ndahen, janë të lidhur dhe kjo është dëshmuar në mënyrën më të mirë të jetës sonë.
Haradinaj ka theksuar se turqit e Kosovës por edhe populli i Kosovës, ka marrëdhënie të mira me Republikën e Turqisë, me vëllezërit tanë që janë atje dhe këto marrëdhënie do të ruhen edhe në të ardhmen.
“Kosova është vend i vogël, ka plotë sfida, politike dhe ekonomike, shumë punë para vetes dhe e vetmja mënyrë për t’u kryer ato, është që të jemi bashkë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se vetëm kështu mund ta ndihmojmë ecjen e Kosovës përpara.
Kryeministri kujtoi para të pranishmëve, që në vitin 2000, si anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), pati kërkuar që gjuha turke të ketë pozicionin e vet në kuadër të gjuhëve të vendit.
Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, që vjen nga ky komunitet, ka thënë se falë pavarësisë së Kosovës, sot festohet dhjetëvjetori i Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë.