970×90
970×90

SHBA/ SHQIPTARI JIM XHEMA DHURON GJYSMË MILION DOLLARË PËR INSTITUTIN DOLE

SHBA/ SHQIPTARI JIM XHEMA DHURON GJYSMË MILION DOLLARË PËR INSTITUTIN DOLE

SHBA/ Shqiptari Jim Xhema Dhuron Gjysmë Milion Dollarë Për Institutin Dole

Biznesmeni shqiptaro-amerikan nga Greenwich, Connecticut vlerëson punën diplomatike të Senatorit Bob Dole dhe miqësinë e tij me të, duke i bërë një dhuratë prej 500,000 dollarësh për institutin e krijuar nga Senatori e që mban mbiemrin e tij. Ky kontribut u dha në kuadrin e nderimeve për punë siç ishte zbulimi i një statuje dhe një pllake në Prishtinë, me rastin e 30-vjetorit të vizitës së parë të Senatorin Dole në Kosovë, së bashku me gjashtë kolegë të tij.

Dole falenderoi mikun e tij të vjetër për këtë dhuratë në ndihmë të Institutit dhe për vizionin e tij të paqes dhe lirisë.

“Jim Xhema ka qenë miku i im i ngushtë për shumë dekada. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm”, tha me këtë rast ish-kandidati republikan për President në SHBA, Bob Dole. “Besnikëria dhe miqësia që kam gjetur te Jim në vite ka qenë gjithmonë me kuptim të madh për mua në një nivel shumë personal. Ndërsa dhurata e tij e fundit për Institutin Dole të Politikës është një dëshmi e vërtetë e bujarisë së tij të pakufishme dhe e vendosmërisë së tij për ta bërë botën një vend më të mirë për brezat e ardhshëm”.

I strukturuar si Fondi i Mundësisë “Jim Xhema” (Jim Xhema Opportunity Fund) ky kontribut financiar do të ndihmojë Institutin e “Robert J. Dole Institute of Politics” në Universitetin e Kansasit për të mbajtur programe e veprimtari të ndryshme publike e studimore. Ky fond do të përdoret për të sponsorizuar veprimtari që kanë si tematikë Shqipërinë, Kosovën, shqiptaro-amerikanët, ose rajonin e Ballkanit në Europën Juglindore. Ky fond gjithashtu mund të mbështesë studiuesit që do të bëjnë kërkime shkencore në kuadrin e Koleksioneve Speciale të Arkivit të Robert dhe Elizabeth Dole.

Bill Lacy, drejtor i Institutit Dole të Politikës shprehu mirënjohjen e tij për Jim Xhemën dhe tha se kjo dhuratë do ta ndihmojë shumë institutin.

“Ne në Institutin Dole jemi vërtet të nderuar dhe mirënjohës për këtë dhuratë bujare”, thotë Lacy. “kontributi i tij do të ndihmojë që të sigurojmë që trashëgimia e Bob dhe Elizabeth Dole të ruhet dhe nderohet, si dhe për të hapur mundësi të reja e për të zgjeruar programe e studimet në fusha të re e për audience të reja”.

Jim Xhema u takua për herë të parë me Dole, në vitin 1987, kur ai ishte kryetar i shumicës në Senatin Amerikan. Dole ishte një nga udhëheqësit e parë politikë amerikanë që sollën Kosovën në vëmendjen e opinionit publik në SHBA dhe në botë.

Ai ndihmoi që të hidhej dritë mbi qëndresën historike të popullit shqiptar kundër shtypjes së qeverisë serbe në vitet 1980-1990.

Gjatë një ceremonie të mbajtur në Prishtinë për nder të Senatorit Dole, Jim Xhema u kujtoi të pranishmëve se që të dy miqtë ndonëse vinin nga dy botë të ndryshme, kishin pasur në fakt, një fëmijëri të ngjashme. Ishin rritur në ferma bujqësore e mbrujtur me tradita të ngjashme morale e familjare.

“Që të dy zbuluam se ishim rritur në mënyrë shumë të ngjashme dhe se udhëhiqeshin të dy nga të njëjtat parime”, u shpreh Jim Xhema, sipas raportimit nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York.

Related posts