Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbrëmë ka deklaruar se duke e parë rritjen e numrit të rasteve në shtetet e rajonit, brenda 7-10 ditësh Kosova mund të përballet me një krizë të re, shkruan Gazeta Projekti
Ndërkohë që Komuna e Prishtinës po vazhdon të përballet me numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19, Ahmeti do të takohet sot me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të diskutuar në lidhje me gjendjen aktuale me koronavirus në kryeqytet.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi mbrëmë deklaroi se aktualisht në kryeqytet janë 800 raste aktive me koronavirus.
Ai ka kërkuar rritjen e numrit të testimeve të sëmundjes infektive, në mënyrë që zbulimi i sa më shumë rasteve të reja do ta pengonin përhapjen e mëtejme.
Megjithatë, Gashi ka përjashtuar mundësinë e një mbylljeje totale në Prishtinë, duke thënë se kufizimi i orarit të lëvizjes nuk ka sjellë ndonjë rezultat të madh në të kaluarën.
Që nga shpërthimi i pandemisë në muajin mars e deri më tash në Komunën e Prishtinës janë konfirmuar 5 mijë e 860 raste me koronavirus, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 80 persona.