Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ktha se në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të bëhen pjesëmarrës të nismës rajonale, e njohur si mini-shengen, meqë kështu kanë sugjeruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Hoti ka thënë se zotimi i Kosovës për t’u bashkangjitur në këtë nismë duhet parë si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal.
“Zotimi ynë për bashkëngjitjen në iniciativë ne quajtur mini-shengen duhet parë në vazhdimësi si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal. Kosova në këtë nismë do të jetë bashkëpronare e plotë e përkufizimit të nismës duke ruajtur çdo interes të Kosovës. Nisma për mini-shengen është në fazën fillestare dhe Kosova do të bëhet pjesë e hartimit të këtij organizimi. Rrjedhimisht Kosova do të ketë pjesën e saj të autorësisë përgjatë procesit të harmonizimit të aranzhimeve dhe të strukturës, si dhe aspektin legjislativ, duke u përkujdesur që çdo gjë të jetë në harmoni të plotë me ligjet në Kosovë”, tha ai.
Në seancën e Kuvendit, ku Hoti është thirrur në interpelancë rreth çështjes së mini-shengenit, Hoti tha se Kosova do të mbrojë gjithmonë interesat e bizneseve dhe qytetarëve.
“Në Shtëpinë e Bardhë jemi pajtuar të bëhemi pjesëmarrës të barabartë të kësaj nisme sepse ky është sugjerimi i fuqishëm i sponsorit kryesor të Kosovës përgjatë të gjitha fazave të çlirimit dhe shtet ndërtimit të Kosovës”, tha ai.
Hoti shtoi se kushtet e barabarta për Kosovën në nisma rajonale mund të arrihen vetëm me pjesëmarrjen e shtetit aty.