970×90
970×90

Vjosa Osmani voton për ligjin e rimëkëmbjes ekonomike

Vjosa Osmani voton për ligjin e rimëkëmbjes ekonomike

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pavarësisht mosmarrëveshjeve që ka me partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, sërish ka konfirmuar para votimit të projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, se ajo do të votojë pro.


Por gjatë fjalimit të saj në Kuvend, Osmani bëri thirrje tek pushtetarët që në mes të dy leximeve të merren parasysh edhe kërkesat dhe vërejtjet e opozitës lidhur me këtë projektligj.

Edhe në tentativat tjera për ta kaluar këtë projektligj, kryekuvendarja kishte votuar pro.

Me 64 vota për, Kuvendi i Kosovës më në fund ka kaluar në parim projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ndër pikat më të diskutuara në kuadër të këtij projektligji ka qenë ajo që ua mundëson qytetarëve të tërheqin dhjetë për qind të mjeteve nga fondi pensional, shkruan Reporteri.net.

Por, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, sërish kanë dalë kundër votimit të këtij projektligji, shkruan Reporteri.net

Deputeti nga radhët e VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se VV mban qëndrimin e njëjtë dhe me këtë synojnë që ta ruajnë shtetin.

Murati tha se ky projektligj nuk përkon me përmbajtjen. Sipas tij zgjidhja duhet të jetë ndryshe dhe ajo është pakoja ekonomike emergjente e cila prekë të gjitha shtresat e shoqërisë.

Njëjtë edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ky propozim gjithçka mund të quhet, vetëm pako ekonomike jo. Ai bën thirrje që të ndryshojë qasja e Qeverisë ndaj shumicës dhe të ulen e të bisedojnë për të bërë një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë qytetarët.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike i cili sot kaloi në lexim të parë, duhet të shkojë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere për ndryshime potenciale dhe më pas të kthehet sërish në Kuvend për t’u votuar në lexim të dytë.

Kujtojmë se kjo është hera e shtatë që ky projektligj është dërguar për votim.

Related posts