Ai ka thënë se i takon politikës ta gjejë mënyrën se si të arrihet deri te ky qëllim. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rama ka deklaruar se FSK-ja është në pritje të vendimit politik për të marrë përgjegjësi të reja, për të cilat është gati. “E kam thënë edhe më herët se FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja. Kurdo që të merret vendimi politik për transformimin e FSK-së, ne jemi të gatshëm të fillojmë këtë proces dhe t’i implementojmë planet tona, planin afatmesëm dhe planin afatgjatë”, ka thënë Rama.
Ai ia ka tërhequr vërejtjen e politikës që të mos vonohet shumë me këtë vendim, duke shtuar se ky proces duhet të bëhet në koordinim me partnerët strategjikë të FSK-së. “Nuk mund të them se nuk po vonohet. Këtë e dinë liderët tanë politikë por, siç dihet, janë disa procese të cilat kërkojnë një koordinim me të gjithë aktorët, qofshin ata të brendshëm apo edhe të jashtëm. Qëllimi ynë është të jemi pjesë e strukturave euroatlantike”, është shprehur ai.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka ftuar edhe deputetët e komunitetit serb që të zbresin tek elektorati i tyre dhe të shohin se sa ka punuar FSK-ja për ta. “Është mirë që edhe politikanët të zbresin ndonjëherë tek komuniteti i tyre dhe ta shohin realitetin se çfarë është duke ndodhur me komunitetin e tyre, e mos të merren vetëm me deklarata. Ne kemi punuar me komunitetet dhe ua kemi treguar ofertën e FSK-së, e cila nuk ka bërë asnjë dallim në mes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij angazhimi, ne kemi arritur që tani në brendi të FSK-së t’i kemi të përfshira të gjitha minoritetet, nga secila pjesë e territorit të Kosovës”, është shprehur Rama.
Sipas tij, qëndrimi i çdo zyrtari të huaj që viziton Prishtinën është që Kosova duhet t’i ketë Forcat e Armatosura si çdo shtet tjetër. “Qëndrimi i çdo zyrtari të huaj që vjen në Kosovë është që Kosova si çdo shtet tjetër duhet ta ketë forcën e vet të armatosur. Pra, Forcat e Armatosura duhet të krijohen. Se si do të gjenden format dhe metodat për arritjen e këtij qëllimi, është një çështje politike. Secili vend, qoftë anëtar i NATO-s ose joanëtar, është i vetëdijshëm se Kosova ka nevojë t’i ketë forcat e saj të armatosura sikurse çdo shtet tjetër”, ka thënë Rama.
“Epoka e re”: Z. Rama, pasi arritjes së kapaciteteve të kërkuara nga NATO-ja, me çfarë detyrash po merret FSK-ja?
Rama: FSK-ja ka një mandat dhe një mision në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Duke u bazuar në mandatin dhe misioni e saj, ne jemi duke i kryer detyrat ashtu siç i kemi të planifikuara në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe rregullores që kemi. Gjatë kësaj periudhe i kemi kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme ngritjes profesionale brenda FSK-së, mbajtjes së kapaciteteve aktuale që kemi, duke filluar prej çminimit, kërkim-shpëtimit, mbrojtjes kimike-biologjike, aktiviteteve xheniere, por edhe zhvillimit të njësive brendapërbrenda që i kemi në mbështetje të këtyre kapaciteteve. Po ashtu, jemi mirë edhe me pajisjet individuale dhe kolektive. Gjithashtu, qëndrojmë mirë edhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve qoftë brenda institucionit nëpër kurset tona specialistike për fusha të caktuara, qoftë me përkrahjen e jashtëzakonshme të partnerëve tanë në kuptimin e ngritjes profesionale të FSK-së.
“Epoka e re”: Paralajmërimet e liderëve politikë janë që shumë shpejt do të ndodhë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Kur pritni që kjo të ndodhë?
Rama: Si komandant i FSK-së mund të them se në aspektin profesional ne jemi gati. FSK-ja i ka kryer të gjitha obligimet që kanë ndalë nga rishikimi i sektorit të sigurisë në vitin 2014. Pra, prej asaj kohe ne i kemi kushtuar rëndësi mbajtjes së kapaciteteve aktuale që janë të deklaruara nga ana e NATO-s, zhvillimin e tyre, pajisjet dhe profesionalizimin e tyre. Në të njëjtën kohë, ne i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet që, kurdo që të merret vendimi politik, FSK-ja i ka planet e detajuara. Pra, nga ai moment ne do të fillojmë implementimin e këtyre planeve të cilat i kemi hartuar me partnerët tanë strategjikë. Është me rëndësi të bëhet me dije se prej fillimit çdo gjë që kemi ndërtuar e kemi bërë duke u bazuar në standardet e NATO-s. Po ashtu, brenda FSK-së kemi një ekip këshillues të NATO-s, nga i cili çdo ditë kemi këshillime dhe koordinime të përbashkëta. Pra, çdo që kemi bërë deri më tash e kemi bërë mbi bazën e standardeve të NATO-s. Qëllimi kryesor yni ka qenë dhe është të jemi pjesë e strukturave euroatlantike, pjesë e NATO-s. Se kur do të ndodhë kjo, prapë varet prej vendimit politik. Me rëndësi është se ne jemi në rrugën e duhur. U them me përgjegjësinë më të lartë se jemi institucioni më i respektueshëm në vend. Ky respekt nga ana e të gjithë qytetarëve të Kosovës është falë angazhimit dhe përkushtimit të pjesëtarëve të FSK-së, të oficerëve dhe nënoficerëve. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë që t’i përkrahim institucionet tona dhe qytetarët duke u bazuar në mandatin tonë kushtetues.
“Epoka e re”: Pra, FSK-ja tani është vetëm në pritje të vendimit politik për transformimin e saj?
Rama: E kam thënë edhe më herët, FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja. Kurdo që të merret vendimi politik për transformimin e FSK-së, ne jemi të gatshëm ta fillojmë këtë proces dhe t’i implementojmë planet tona, planin afatmesëm dhe planin afatgjatë. Në përpilimin e këtyre planeve kemi qenë të kujdesshëm të mos kemi ngarkesa të mëdha, qoftë edhe financiare, duke marrë për bazë gjendjen ekonomike të vendit. Oficerët dhe nënoficerët në çdo trajnim apo operacion që kanë marrë pjesë jashtë vendit, kanë dalë si studentët më të suksesshmit. Kjo neve natyrisht se na ka bërë krenarë, sepse ka treguar disiplinën dhe përkushtimin që kanë ata për uniformën dhe për vendin.
“Epoka e re”: A po vonohet politika për marrjen e këtij vendimi, meqenëse FSK-ja i ka përmbushur kriteret e kërkuara që disa vjet dhe është e gatshme për transformim?
Rama: Nuk mund të them se nuk po vonohet. Këtë e dinë liderët tanë politikë por, siç dihet, janë disa procese që kërkojnë koordinim me të gjithë aktorët, qofshin ata të brendshëm apo të jashtëm. Qëllimi ynë është të jemi pjesë e strukturave euroatlantike. Me këto kapacitete që kemi, jemi në diskutim me shumë vende dhe ua kemi bërë ofertat që me këto kapacitete mund të shërbejmë edhe në misionet paqeruajtëse në të gjithë botën. Në këtë drejtim mendoj se jemi në rrugë të mirë që, një ditë, qoftë edhe me një numër simbolik të pjesëtarëve, të jemi pjesë e këtyre misioneve paqeruajtëse në vendet ku ka kriza.
“Epoka e re”: Pengesë kryesore për transferimin e FSK-së janë deputetët e minoritetit serb, ndonëse kjo forcë në gjirin e vet ka edhe shumë pjesëtarë të këtij komuniteti. Si komandant i kësaj force, cili është mesazhi juaj për këta deputetë?
Rama: Në kuptimin profesional ne kemi arritur progres të jashtëzakonshëm. Është konstatim i përgjithshëm se FSK-ja është një forcë kredibile dhe gjithëpërfshirëse. Kur themi gjithëpërfshirëse, i bie se kemi më tepër se 11 për qind të pjesëtarëve të FSK-së nga minoritetet. Edhe këtë vit i kemi kushtuar rëndësi rekrutimit të pjesëtarëve nga minoriteti serb, ku kemi arritur që mbi pesë për qind të pjesëtarëve që shërbejnë në FSK të jenë nga minoriteti serb. Kështu që, është mirë që edhe politikanët të zbresin ndonjëherë tek komuniteti i tyre dhe ta shohin realitetin se çfarë është duke ndodhur me komunitetin e tyre dhe mos të merren vetëm me deklarata. Ne kemi punuar me komunitetet dhe ua kemi treguar ofertën e FSK-së, e cila nuk ka bërë asnjë dallim në mes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij angazhimi kemi arritur që tani në brendi të FSK-së t’i kemi të përfshira të gjitha minoritetet nga secila pjesë e territorit të Kosovës.
“Epoka e re”: Pothuajse çdo javë keni vizita të ndryshme të zyrtarëve të NATO-s, por edhe të zyrtarëve të vendeve anëtare të NATO-s. Cili është qëndrimi i tyre për përgatitjen profesionale të FSK-së dhe për transformimin e kësaj force?
Rama: Së fundi kemi pasur edhe vizitën e zëvendëssekretarit të NATO-s dhe mesazhi i tij ka qenë se FSK-ja është një forcë profesionale, shumetnike dhe është në shërbim të gjithë qytetarëve. Pra, me punën që ka bërë deri më tani kjo forcë, ka arritur një respekt i jashtëzakonshëm te partnerët e saj strategjikë. Kemi çdo lëvdatë prej tyre. Mirëpo duhet ta kuptojmë edhe një çështje, se ky proces nuk është i lehtë, sepse kemi pesë vende anëtare të NATO-s të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Por, gradualisht, me punën tonë, me angazhimin tonë, mund t’i bindim ato vende. Përveç vizitave dhe kontakteve të vazhdueshme që kemi me partnerët tanë, FSK-ja merr pjesë edhe në shumë ushtrime të përbashkëta, qofshin ato rajonale apo globale. Vlen të theksohet se këtë vit jemi pjesë e 11 ushtrimeve fushore që do të ndodhin në rajon dhe më gjerë. Ajo që është më e rëndësishmja, në fillim të muajit maj në Kosovë do ta kemi ushtrimin ‘Shqiponja 6’. Pra, është hera e parë që ky ushtrim nuk do të jetë nacional, por internacional. Pjesëmarrëse në këtë ushtrim do të jenë 12 shtete me trupat e tyre ushtarake. Natyrisht se për këtë ushtrim i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet me partnerët tanë, ndërsa tani e presim zbatimin e këtij ushtrimi.
“Epoka e re”: Në të gjitha takimet me partnerët e FSK-së, kërkesë permanente e juaja është që FSK-ja të jetë ofruesja e sigurisë përmes operacioneve të mbështetjes së paqes. Çfarë përgjigje merrni prej partnerëve në këtë çështje?
Rama: Qëndrim i çdo zyrtari të huaj që vjen në Kosovë është se Kosova, si çdo shtet tjetër, duhet ta ketë forcën e vet të armatosur. Pra, Forcat e Armatosura duhet të krijohen. Se si do të gjinden format dhe metodat për arritjen e këtij qëllimi, kjo është një çështje politike. Por, secili vend, qoftë anëtar i NATO-s ose joanëtar, është i vetëdijshëm se Kosova ka nevojë t’i ketë forcat e saj të armatosura sikurse çdo shtet tjetër. Nëse shihet struktura e FSK-së, planet, pajisjet kolektive dhe individuale, është e qartë se Kosova po ndërton një forcë që është në shërbim të qytetarëve dhe që krijon siguri për qytetarët e saj. Kështu që, tani jemi në fund të procesit kur Kosova duhet t’i ketë Forcat e Armatosura dhe mendoj se shumë shpejt do ta realizojmë këtë ëndërr tonën.
Muhamet KOCI