
Ambasada amerikanë në Prishtinë ka vlerësuar se proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore janë shkatërruar. Andaj, kjo Ambasadë ka hequr dorë nga monitorimi këtij procesi.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp kjo ambasadë ka vlerësuar se ky proces është i shkatërruar rrënjësisht, sepse ka mungesë transparencës dhe i nënshtrohen konflikteve të interesit.
“Me vite, Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe për të zgjedhur Kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur rrënjësisht. Atyre u mungon transparenca dhe i nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit”, është thënë në këtë deklaratë.
Ambasada Ameikane më nuk do të marrë pjesë në monitorimin e këtij procesi.
“Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet keq si miratim i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet tutje në deklaratë.
Ambasada vlerëson se ndryshimet në kornizën ligjore që mbështet KPK-në janë të nevojshme për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi.
“Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështesin përpjekjet e Ministrit të Drejtësisë për të përfunduar menjëherë Rishikimin Funksional”, është thënë në këtë deklaratë.