
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, pas përfundimit të procedurës së vlerësimeve dhe kategorizimeve, është transferuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan, pasi i njëjti është dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale “Mashtrim me subvencione”.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online “Reporteri.net”, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.
Gashi ka thënë se deputeti Arifi, tash e tutje është duke e mbajtur dënimin në burgun e Lipjanit.
Deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Afiri ishte në arrati pasi që ishte dënuar më një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.
Në fillim të muajit gusht, Gjykata Themelore e Prishtinës lëshoi urdhërarrest mirëpo deputeti Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit.
Për dënimin, Arifi bëri ankesë në Gjykatë Kushtetuese të Kosovës, por ky institucion, më 23 shtator, nuk e mori në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme, shkruan Reporteri.net.
Ndonëse ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, vota e deputetit Hetem Arifi u bë vendimtare më 3 qershor kur u votua qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, deputeti Arifi arriti që të merrte pjesë në dy seanca të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, pasi kishte kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç pretendonte, shkaqe shëndetësore.
Kjo kërkesë i ishte miratuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në seancën e parë të rëndësishme, më 25 mars 2020, Arifi votoi për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Në të dytën, më 3 qershor, vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje e cila e dërgoi këtë rast në Gjykatë Kushtetuese.