970×90
970×90
970×90
970×90

Raporti i BE-së për Kosovën dhe Dialogu për Normalizim

Raporti i BE-së për Kosovën dhe Dialogu për Normalizim

Nga: Gazmir Raci

Është viti i shtatë që dialogu teknik në fillim dhe më vonë dialogu për normalizim ka zënë një vend të rëndësishëm në raportet e Bashkimit Evropian për Kosovën por edhe në raportet për Serbinë. Që nga ajo kohë e deri tani janë një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura fillimisht në dialogun teknik dhe me vonë edhe në atë politik e të cilat nuk po zbatohen nga ana e Serbisë por disa nga marrëveshjet edhe nga ana e Kosovës.

Në raportin e këtij viti gjërat janë më të qarta sa i përket zbatimit dhe mos zbatimit të obligimeve të marra në kuadër të dialogut të Brukselit nga Serbia por edhe nga Kosova. Me ardhjen në pushtet të Qeverisë së re të Kosovës vitin e kaluar për disa muaj pati mjegulli dhe paqartësi sa i përket vazhdimit të dialogut, për një kohë nuk pati ekip dialogues, paqartësi nga vetë kryetari i kësaj qeverie për vazhdim apo jo të dialogut ndoshta kjo ndodhi edhe sepse gjatë kohës sa ishin në opozitë ishin kundër kësaj metode të vazhdimit të dialogut etj. Kjo qeveri por edhe ato që do të vijnë duhet pas parasysh se Kosova me Rezolutën e OKB-së të vitit 2010, Marrëveshjes së parë të vitit 2013 ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare por edhe me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare të njohur si Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim ka marr obligime ndërkombëtare mes tjerash edhe për dialogun e Brukselit, zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët por edhe me angazhimin që vetëm përmes dialogut do të zgjidhjen problemet që kanë dy shtetet, Kosova dhe Serbia në rrugën e saj drejt integrimit në familjen evropiane. Ndërkohë që dialogu i niveli të larë në nivel presidentesh ka vazhduar por duhet theksuar se e rëndësishme mbetet involvimi edhe i qeverisë sepse ekzekutivi është mekanizimi i vetëm i cili ka për obligim zbatimin e të gjitha marrëveshjeve përmes instrumenteve të saja vepruese ekzekutive.

Për të mos u kthyer prapa në histori, desha të theksoj se në këtë raport për këtë vit sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura që nga viti 2011 në kuadër të dialogut të Brukseli si të zbatuara konsiderohen marrëveshja për Telekomin/Kodin tashmë të alokuar telefonik shtetëror, progres të shënuar kohen e fundit ka sa i përket Asociacionit pasiqë ekipi menaxhues është autorizuar për fillimin e punës për draftimin e statutit, Policia e Kosovës është operative në katër komunat e pjesës veriore, ish mbrojtja civile është shuar, sistemi i drejtësisë ka filluar funksionimin në ato katër komuna. Ky raport nuk e përmend fare marrëveshjen për kthimin e dosjeve kadastrale që ishte arritur në vitin 2011 edhe pse Kosova pati përmbushur obligimet e saja por Serbia ishte ajo që nuk deshi të zbatojë sepse synonte rihapjen e kësaj marrëveshje. Kthimi i dosjeve kadastrale në Kosovë ka rëndësi të madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta pronësore që po i mundojnë qytetaret e vendit.

Në anën tjetër thuhet se Serbia nuk ka treguar vullnet për zbatimin e marrëveshjes për Diplomat – marrëveshje kjo që kryesisht ishte në favor të të rinjve shqiptarë nga lugina e Preshevës, marrëveshja për Energjinë e cila poashtu ka stagnuar edhe futjen në funksion edhe të sistemit të transmisionit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë por gjendje joligjore në rrjetin energjetik në pjesën veriore të vendit mbetet e pa kontrolluar nga ana e institucioneve të Kosovë, Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë vazhdon të jetë e mbyllur dhe liria e lëvizjes nuk është funksionale edhe pse miliona euro janë dhënë për revitalizimin e saj nga ana e BE-së, Serbia po bën pengesa

obstruksioni në zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në katër pikë kalimet kufitare si ne Bërnjak, Jarinjë, Konqul dhe Muçibabë si dhe ende nuk i ka mbyll kalimet ilegale, ka pengesa edhe në marrjen e tabelave te Kosovës nga qytetaret e katër komunave të pjesës veriore të Kosovës në kuadër të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, Serbia duhet hequr nga struktura e saj doganore edhe strukturën paralele të doganës së Serbisë për Kosovë si dhe të ndaloj përdorimin e vulave paralele doganore, Serbia por edhe Kosova duhet vazhduar bashkëpunimin sa i përket mos pengimit të marrjes pjesë të Kosovës në forumet e ndryshme rajonale konform marrëveshjes se Brukselit për këtë çështje. Në këtë vit ka pas tensione sa i përket edhe vizitave zyrtare sepse nuk janë respektuar rregullat e përcaktuara për marrëveshjen për aranzhimin e vizitave.

Poashtu edhe në Raportin e BE-së për Serbinë për këtë vit thuhet se ajo duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme substanciale për zbatimin e marrëveshjet ekzistuese dhe të kontribuojnë në krijimin e rrethanave që ndihmojnë në tërësi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që do të përcaktohet përmes një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për dyja palët.

Raporti poashtu përmend edhe njëherë tensionet e ngritura në fund të vitit 2016 me rastin e provokimit nga ana e Serbisë përmes dërgimit të trenit për Kosovë me simbole provokuese por fal intervenimit të Bashkimit Evropian dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë ajo gjendje u tejkalua pa ndonjë ekses më të madh thuhet e poashtu ky raport përmend edhe ndërtimin ilegal të murit në Mitrovicën veriore dhe pengimet e bëra me ketë rast në mos hapjen e urës së Ibrit.

Për fund, raporti edhe pse konstaton se Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog ajo më teje duhet të bëjë përpjekje të konsiderueshme dhe të kontribuojë në krijimin e rrethanave të favorshme për një normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme është urgjente kritike në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre evropiane thuhet në fund të kapitullit 5 të këtij raportit ku flitet për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të Brukseli.

Ekipi i ri dialogues i Kosovës duhet të jetë më transparent ndaj opinionit publik sepse nuk mjafton vetëm raporti para komisioneve parlamentare, që nga viti 2017 e deri tani nuk ka asnjë raport të përgatitur dhe të publikuar për publikun ku thuhet se cilat janë qëndrimet e kësaj qeverie për dialogun dhe se cila është gjendja e zbatimit të marrëveshjeve, as platforma e re e qeverisë për dialogun nuk është bërë publike për opnionin.

Autori është  njohës i dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve

 

Related posts