
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nesër pret në takim delegacionin nga Amerika, i cili përbëhet nga emisari Richard Grenell dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, shkruan Gazeta Metro.
Kjo u bë e ditur nga zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për media.
“Nesër me datë 21 shtator 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të ud{hëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se delegacioni qeveritar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të udhëtojë për në Greqi, Kosovë, Serbi dhe Izrael.
Njoftimi i plotë i Ambasadës:
Delegacioni i Qeverisë së SHBA do të udhëtojë në Greqi, Kosovë, Serbi dhe Izrael. UASHINGTON – Një delegacion i qeverisë amerikane i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA (DFC) Adam Boehler do të udhëtojë në Athinë, Greqi; Prishtinë, Kosovë; Beograd, Serbi; dhe Jeruzalemi, Izrael nga 20 shtator deri më 25 shtator për të avancuar bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik. Boehler do të bashkohet me Këshilltarin Special të Presidentit për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell; Zëvendës Administratori për Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Bonnie Glick; President dhe Kryetar i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM) Kimberly Reed; dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë të SHBA.
Delegacioni do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe udhëheqës të sektorit privat. Udhëtimi i delegacionit vjen pas Marrëveshjeve historike midis Izraelit, U.A.E., dhe Bahreinit dhe marrëveshjes së normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës. DFC, banka e zhvillimit të Amerikës, lehtëson investimet e sektorit privat dhe ofron një alternativë parimore të financimit ndaj regjimeve autoritare. DFC punon ngushtë me USAID, EXIM dhe agjencitë e tjera qeveritare për të promovuar zhvillimin dhe avancimin e politikës së jashtme të SHBA përmes mjeteve të saj të financimit. Delegacioni do të çojë përpara investimet strategjike që mbështesin shumëllojshmërinë e furnizimeve dhe forcojnë pavarësinë e energjisë në Greqi dhe rajonin e gjerë.
DFC do të hedhë bazat për hapjen e një zyre në Beograd për të lehtësuar zbatimin e projekteve që do të mbështesin rritjen ekonomike në rajon. DFC dhe EXIM së fundmi nënshkruan Letrat e Interesit (LOI) me Serbinë dhe Kosovën për të ndihmuar financimin e projekteve të rëndësishme të identifikuara në marrëveshjet e 4 shtatorit. Delegacioni gjithashtu do të vlerësojë mundësitë për të zgjeruar investimet në rajon për të rritur stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në Lindjen e Mesme.