Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka siguruar se Serbia dhe serbët e veriut nuk do të pranojnë asgjë më pak se një asociacion me kompetenca ekzekutive
Tani kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë kur serbët do ta formojnë në mënyrë të njëanshme Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, apo “Zajednicën” siç e quajnë ata, nëse eventualisht Prishtina deri më 20 prill 2018 nuk e formon AKS-në, shtohet rreziku që gjysma e minierave të “Trepçës”, si dhe komplet hidrosistemi “Ibër – Lepenci” të mbesin nën kontrollin direkt të Serbisë.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke e interpretuar Marrëveshjen e Brukselit për formimin e “Zajednicës” ka kërkuar që ajo të ketë kompetenca ekzekutive, shkruan më tutje “Zëri“.
Ai ka thënë gjithashtu se Serbia nuk do të pranojë një asociacion që i ngjason një OJQ-je e as diçka të ngjashme siç është Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Gjuriq, i cili nuk heziton ta thotë hapur se “Zajednica” do të ketë kompetenca sikurse një republikë, ka thënë dy ditë më parë se vendimi i BE-së për t’i dhënë kohë Prishtinës 4 muaj për formimin e “Zajednicës” nuk do të pranohet nga Beogradi.
E ndërkaq kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili nuk përfill asnjë vendim të Prishtinës, pa u konsultuar paraprakisht me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka siguruar se Serbia dhe serbët e veriut nuk do të pranojnë asgjë më pak se një asociacion me kompetenca ekzekutive.