
Vetëvendosja ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën sërish ka folur për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington.
Nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi duke folur para mediave tha se teoria e emisarit special të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell se ekonomia do të çojë në zgjidhjen e çështjeve ekonomike, nuk qëndron, shkruan lajmi.net
“Nuk ekziston asnjë studim i vetëm që zgjidhjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e sheh tek ekonomia. Serbia ka gëzuar qasje në tregun e lirë të Kosovës duke dëmtuar bizneset kosovare. Serbia ka tentuar që resurset e pasura të Kosovës t’i bëj pjesë të dialogut”, tha ai.
Sipas tij, marrëveshja e arritur më 4 shtator, e prek vetëm në margjina ekonominë, dhe se Kosova e rëndon edhe më shumë situatën e saj.
“Problemi Kosovë-Serbi nuk ka qenë i ndikuar nga problemet ekonomike dy-palëshe. Zotimi që Hoti nënshkroi, vetëm në margjinë e prekin ekonominë. Kosova e rëndon edhe më shumë situatën e furnizimit me ujë. Shumë dëm për ekonominë e Kosovës, dhe përfitime për palën serbe. Këto zotime e largojnë Kosovën edhe më tej nga zgjidhja me Serbinë”, ka thënë ai.
Ndryshe, kreu i VV-së, Albin Kurti para disa ditësh tha se nëse partia e tij vjen në pushtet, nuk do ta respektojë marrëveshjen.
Menjëherë më pas, atij i erdhi një reagim i ashpër nga Richard Grenell, i cili tha se ai ka qenë gjithëherë kundër SHBA-ve dhe presidentëve të saj.