970×90
970×90
970×90
970×90

93 centë kushtoi kilogrami i mishit të Belgjikës

93 centë kushtoi kilogrami i mishit të Belgjikës

Rreth 40 mijë kilogramë mish me cilësi të dyshimtë është shitur në tregun e brendshëm të Kosovës. Ata është konsumuar nga qytetarët e Kosovës. Mishi është eksportuar nga Belgjika në Kosovë nga kompania belge “Veviba”. Në total janë importuar në Kosovë 63 mijë kilogramë mish. Prej tyre janë asgjësuar rreth 20 mijë kilogramë, kurse pjesa tjetër ka hyrë në tregun e brendshëm.
Në një dokument të Doganës së Kosovës të siguruar nga “Gazeta Jeta në Kosovë” shihet se çmimi i mishit i deklaruar në Doganë ishte disa herë më i ulët se çmimi në treg. Mishi i importuar në Kosovë është blerë në Belgjikë për vetëm 93 centë për kilogram.

Herën e parë, kjo kompani kishte futur në Kosovë 22 mijë kilogramë mish. Vlerë e këtij mishi e deklaruar në Doganë ishte vetëm 20 mijë e 600 euro. Pra, një kilogram mish është paguar vetëm 93 centë. Ky çmim është larg çmimit real të mishit në Kosovë, e aq më pak të mishit që ka vend të origjinës vendet europiane.

Herën e dytë, kjo kompani ka eksportuar 21 mijë e 500 kilogramë mish në Kosovë. Kësaj radhe, kjo kompani e kishte rritur çmimin e shitjes në 1 euro e 11 centë për kilogram pasi kishte deklaruar një vlerë prej 24 mijë e 49 euro.

Herën e tretë, kompania “Veviba” kishte eksportuar në Kosovë 19 mijë e 81 kilogramë mish, duke deklaruar një vlerë 33 mijë e 820 euro. Pra, herën e tretë vlera e një kilogrami mish ishte deklaruar vetëm 1 euro e 77 centë.

Në dokumentin e Doganës shihet se nga viti 2013 e deri në fund të vitit 2017, kjo ishte sasia e vetëm që kjo kompani ka eksportuar në Kosovë.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se nga Belgjika importohen rreth 200 mijë kilogramë mish brenda vitit.

“Importi nga Belgjika është i ulët në raport me sasisë vjetore të importit të mishit në përgjithësi. Nga Belgjika mesatarisht kemi rreth 200.000 mijë kg brenda vitit e cila paraqet rreth 0.5% e tërë importit të mishit pasi që në Kosovë brenda një vitit importohen mbi 40 milionë kg e të gjitha llojeve së bashku, sipas statistikave tona me së shumti brenda një viti Kosova importon mishin e shpezëve (pule). Derisa origjina e mishit të cilat importohen më së shumti në Kosovë janë kryesisht nga SHBA, Brazil, Argjentine, Holande”, ka thënë Stavileci.

Ai ka treguar se një pjesë e vogël e kësaj sasie është eksportuar në Kosovë nga kompania “Veviba” në Kosovë.

Në pyetjet shtesë dërguar Doganës, se nëse në Doganë nuk është hasur që kjo kompani ka eksportuar mish në Kosovë nga ka hyrë ky produkt i mishit në tregun vendor, Stavileci është përgjigjur, se kjo çështje duhet të trajtohet me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit”.

“…Pasi (AUV) i lëshojnë certifikata secilës kompani respektivisht secilit import”, tha Stavileci.

Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës është kontaktuar nga “Gazeta Jeta në Kosovë”, për të kuptuar se a është shitur në tregun kosovar ky produkt edhe para se të zbulohej skandali në shtator të vitit 2016 dhe cila kompani kosovare e ka bërë importin, por ajo kjo agjenci nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë, në media zëdhënësi i kësaj Agjencie ka deklaruar se ka qenë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e cila e kishte iniciuar hetimin për kompaninë belge, pas asgjësimit të 20 mijë kilogramëve mish të eksportuar nga kjo kompani në Kosovës.

“Gazeta JnK” ka hulumtuar në ueb-faqen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës për të parë njoftimet për asgjësim të mishit. Aty figuron një njoftim për asgjësimin e 20 mijë kilogramëve mish me vend të origjinës nga Belgjika.

“Origjina e produktit sipas certifikatës ka qenë nga shteti i Belgjikës ku edhe janë kontaktuar autoritetet belge përmes Ambasadës se tyre në Kosovë të cilat menjëherë kanë dërguar ekspert për verifikimin e ngarkesës. Ne bashkëpunim me ta është vërtetuar se janë bërë falsifikime dhe se ngarkesa duhet të shkatërrohet për të pamundësuar çfarëdo devijimi të mundshme nëse ajo kthehet”, thuhet në komunikatën e AUV-it.

Ndërkohë, KTV-ja kishte raportuar se AUV kishte asgjësuar një ngarkesë prej 20 mijë kilogramëve mish të gjedhit, që po ashtu ishte me origjinë nga Belgjika.

Thaçi i kishte thënë gazetës se nuk bëhet fjalë për fabrikën e njëjtë të mishit me atë të vitit 2016, pra “Vevibe”.

“Vendi i origjinës së ngarkesës është i njëjtë, por prodhuesi, respektivisht fabrika nuk janë të njëjtë. Në dy rastet kemi të bëjmë me dy prodhues dhe dy importues të ndryshëm”, ka thënë Thaçi për KTV-së.

Ibrahim Tërshnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës si dhe anëtar në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorëve tha se bizneset mund të operojnë deri sa autoritetet të zbulojnë parregullsitë.

Ai duke lëvduar punën që është bërë nga AUV, tha se të gjitha fabrikat të cilat kanë leje të importojnë nuk kanë të drejtë ligjore që t’i ndalojnë të operojnë.

“Të gjitha ato fabrika të cilat kanë leje nuk kemi të drejtë ligjore mos t’i lëmë. Ne kemi kryer të gjitha kontrollet pa marrë parasysh edhe për fabrikat e tjera që i kemi ndalu qoftë nga Argjentina dhe Brazili që ka ndodh me pasë skandale të tilla. Dhe për ato fabrika që nuk kanë numër importues ne nuk japim as leje për import”, tha ai duke mos specifikuar nëse kompania në fjalë ka pasur numër importues.

E Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, që është edhe anëtar në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, tha se autoritetet belge e kanë konstatuar se jo vetëm një herë, por disa herë kompania belge “Veviba” ka eksportuar mish në Kosovë.

Ai i ka ftuar organet kompetente kosovare ta mbyllin kompaninë, e cila e ka kryer importin në Kosovë, siç kanë vepruar autoritetet belge me kompaninë “Veviba”.

“Parlamenti i Mbretërisë Belge i ka angazhuar organizmat shtetëror për me hulumtu rastin. Dhe përfundimi i hulumtimeve është mbyllja e biznesit për të cilën është konstatuar se me vite të tëra është eksportuar jo vetëm në Ballkan, por në mbarë Europën edhe në Belgjikë mish me afat të skaduar. Biznesi është mbyllur dhe për këto vite me radhë është konstatuar që jo vetëm një herë por disa herë kanë eksportuar mishin në Kosovë”, tha ai.

Kaçaniku u shpreh i mllefosur në Doganën e cila, sipas tij, po mban sekrete kur bëhet fjalë siguria dhe shëndeti i qytetarit konsumator taksapagues.

“Nëse Parlamenti belg e ka konstatuar se janë disa dërgesa në Kosovë, atëherë Dogana e Kosovës duhet të prezantojë me dokumente, jo me llafe”, tha ai.

15 marsi, njihet si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte organizuar aktivitete të ndryshme për mbrojtjen dhe vetëdijesimin e konsumatorëve, por në fjalimet e ministrit Bajram Hasani nuk është përmendur asnjëherë skandali i mishit belg.

Por, i pyetur nga mediat se cilët hapa do t’i ndërmarrë MTI-ja ndaj kompanisë importuese për Kosovën, Hasani nuk e pranoi se MTI-ja ka kompetencë për produktet ushqimore sa i përket cilësisë. Ndërsa tha se kanë krijuar një grup brenda ministrisë për të parë se çfarë në të vërtetë po ndodh në këtë rast.

“MTI ka kompetencë për produktet jo ushqimore sa i përket cilësisë. Është AUV e cila e ka të drejtën. Ne kemi disa informacione, i kemi vendosë njerëzit në kontakt që të shohin se çfarë është çështja. Cilësia është kompetencë e AUV-it, gjërat e tjera ne do t’i adresojmë me kohë”, tha Hasani.

KALLXO.com ka shkruar lidhur me Kompaninë belge, e cila shiti mish të prishur edhe në Kosovë.

Në Belgjikë kishte shpërthyer një skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “Veviba”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.

Për herë të parë për mishin e dyshimtë u dëgjua në Kosovë më 2016, kur një sipërmarrës kosovar i paralajmëroi autoritetet belge se nga kompania Veviba kishte marrë një dërgesë me mish të prishur.

Për pothuajse dy vjet, kompania ka funksionuar e papenguar deri para pak ditësh kur skandali nisi të trajtohej seriozisht.

Related posts