
Ndërkohë që autori i sulmeve ndaj dy xhamive në Zelandë të Re po gjuane me breshëri plumbash drejt turmës së besimtarëve që po faleshin, një i moshuar tregoi heroizmin e tij duke dalë para një bashkëvendasi të tij. Në këtë mënyrë ky person 71 vjeçar përfundoi i vdekur, duke shpëtuar jetën e një personi tjetër, transmeton Reporteri.net
Familja e Daoud Nabi tha se, 71-vjeçari ishte një njeri bujar i cili mirëpriti refugjatët në aeroport pas emigrimit në Zelandën e Re nga Afganistani me fëmijët e tij në vitet 1980, shkruan NBC News.
Djali i tij, Omar Nabi, 43 vjeç, i cili gjithashtu duhej të ishte në xhaminë Al Noor të premten në mëngjes, por nuk mundi të ishte prezent për shkak të punës, tha se babai i tij ishte përpejkur të shpëtonte një person tjetër nga plumbat. Ai nuk kishte më shumë detaje për ngjarjen.
Pasi dëgjoi lajmin për të shtënat, Nabi nxitoi për në xhami dhe e thirri babain e tij në telefon, por ai nuk lajmërohej.
“Jam pak i humbur”, tha Nabi, me profesion mekanik, pasi mësoi vdekjen e babait të tij.
“Ai ka ndihmuar të gjithë ata që janë refugjatë”, tha ai, duke përshkruar se si babai i tij shkoi në aeroport për të përshëndetur refugjatët dhe për të ndihmuar ata të fillonin jetën e re.
“Ska rëndësi nëse jeni nga Palestina, Iraku apo Siria, ai është personi i parë që ju zgjat dorën”, tha Nabi.
Duke u përpjekur për të ndërtuar një komunitet në vendin e tij të ri, Nabi themeloi një xhami dhe u bë president i një shoqate lokale afgane. Ai ishte gjyshi i nëntë nipërve dhe mbesave.