970×90
970×90
970×90
970×90

65-vjeçari erdhi nga Holanda për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, por partia e tij nuk fitoi

65-vjeçari erdhi nga Holanda për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, por partia e tij nuk fitoi

Bëri mijëra kilometra që të vijë në Prizren dhe të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Orhan Galushi ka 35 vjet që është larguar nga vendlindja dhe jeton në Holandë.

Ky 65-vjeçar, që i takon komunitetit rom, punon si gazetar në Amsterdam. Ai dhe partia me të cilën ka garuar në këto zgjedhje, Kosovaki Nevi Romani Partia, nuk ka fituar në zgjedhjet e së dielës së kaluar.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se përse u kthye në Kosovë.

“Ju e dini që romët janë në margjinë këtu në Kosovë, edhe njerëzit në Kosovë duhet të edukohen se si duhet të përdoren elementet e demokracisë. Secili e dimë që edukimi është rruga për të qenë i lirë. Pse romët janë pa shkollë? Çfarë ka ndodhur këtu? Çfarë historie ka? Unë do të bëhem një urë e fortë, e mirë, e bukur, që romët e Kosovës të arrijnë të zhvillojnë aso projektesh që standardi i romëve dhe kosovarëve do të ndryshojë”, thotë Galushi.

Lagjja ku është rritur, nuk ka ndryshuar shumë. Kushtet për të jetuar janë ende të vështira.

Orhani tashmë ka filluar t’i vizitojë familjet për të parë se çka u mungon atyre.

Papunësia te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas është më e lartë se te komunitetet tjera.

Ankesat e banorëve të lagjes së Orhan Galushit, kanë të bëjnë pikërisht me papunësinë.

“Burri s’po punon, unë s’po punoj, çika s’po punon. Vetëm me def(dajre) po shkoj. Po të mos ishte defi, unë vdes urie”, thotë një grua rome derisa bisedon me Orhan Galushin.

Dëshira e Orhan Galushit, është që t’i ndihmojë të rinjtë e komunitetit rom, të ndjekin ëndrrat e tyre.

“Së bashku me ju duhet ngadalë të formojmë një grup, një grup të madh me gjeneratën e re, në mënyrë që studentët që janë, do të zhvillojnë, do të japin kontribut për popullin tonë, për Kosovën sidomos”, thotë Galushi pas takimit me disa të rinj të komunitetit rom në Prizren. Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE), njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë deri në 40 mijë qytetarë të këtyre komuniteteve.

Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, norma e papunësisë te komunitetet vlerësohet ndërmjet 90 për qind dhe 100 për qind.

Sipas të dhënave nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, deri në 80 për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve, janë të papunë.

Pse fëmijët romë nuk ndjekin shkollimin?

Organizatat që merren me mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, thonë se niveli i përfshirjes së fëmijëve të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në edukim, është shumë i ulët.

Sofia Toska nga organizata kosovare për edukim tregon për Radion Evropa e Lirë se përse fëmijët dhe të rinjtë e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, nuk vijojnë mësimin.

“Duke filluar nga nevojat esenciale, si mungesa e higjienës jo të duhur personale, mungesa e veshmbathjeve, nënvlerësimi i shkollimit nga ana e prindërve, mungesa e përkrahjes nga prindërit në këtë drejtim, mungesa e vetëbesimit dhe sigurisë në shkollë, varfëria ekstreme dhe gjendja e rëndë ekonomike”, thotë Toska.

Ajo thotë se shteti i Kosovës duhet të bëjë edhe më shumë sa i përket arsimimit të fëmijëve të këtyre komuniteteve.

“Ne nuk vërejmë, së paku si OJQ, ndonjë përpjekje më serioze që i ndihmon këto komunitete për një të ardhme më të mirë dhe për hapa më konkretë që do të përmirësonte gjendjen e tyre, por gjithçka po mbetet vetëm në strategji dhe legjislacione, por jo në anën e zbatimit”, shton Toska.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë rreth 9 mijë romë.

Related posts