Një 21-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi ka rënë nga kati i tretë i një hoteli në Pejë. E reja po qëndron në trajtim mjekësor në Klinikën Intensive në QKUK, ndërsa lidhur me rastin Express ka mësuar detaje të reja.
Sipas burimeve të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës, dyshohet se 21-vjeçarja ra nga kati i tretë i hotelit në Pejë, pak minuta pasi u ngjit lartë.
“Sa ka mujt me u ngjit lartë, brenda pak minutash ka ndodhur rasti”, tha ky burim i Expressit.
Tutje, i njëjti tha se 21-vjeçarja ka rënë mbi veturën e një personi që ishte duke pirë kafe në hotel dhe më pas vozitësi i saj e ka dërguar për trajtim mjekësor në spital.
Lidhur me rastin janë intervistuar tre dëshmitarë, të gjithë punëtorë të hotelit ku ka ndodhur rasti. Mirëpo nga hoteli nuk kanë dashur të prononcohen për media.
E gjithë ngjarja thuhet se është filmuar nga kamerat e sigurisë së hotelit dhe pamjet tashmë ndodhen në duart e policisë.
Shefi i Intensives në QKUK, Shaqir Uka, ka deklaruar mbrëmë se 21-vjeçarja ka marrë lëndime serioze në disa pjesë të trupit.
“Ajo ka ardhur sot në orët e hershme të mëngjesit. Është në gjendje të rëndë, ka marrë lëndime serioze në boshtin kurrizor dhe në gjoks. Po ashtu ka lëndime edhe në kokë”, tha Uka.
Po ashtu ai tha se ajo është duke u trajtuar me të gjitha terapitë e nevojshme.
“Ajo është duke u mjekuar me të gjitha terapitë e nevojshme, jemi duke e përcjellur gjendjen e saj”, tha Uka.