
Nga 22 janari i këtij viti, 21 prokurorëve të Kosovës u ka skaduar mandati fillestar prej tri vitesh. Ndonëse pa riemërim nga presidenti, ata janë duke e vazhduar punën normalisht.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar vlerësimin pozitivë për vazhdimin e punës së tyre, por ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ende nuk e ka bërë riemërimin apo dekretimin e përhershëm të tyre.
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka mundur të tregojë nëse këta prokurorë kanë mandat për të punuar pa dekretim të presidentit.
“Këta janë prokurorë që janë dekretuar një herë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar vlerësimet pozitive për ta dhe bazuar në këtë pritet që ditët në vijim të kemi konfirmimin e dekretimit të përhershëm”, ka bërë me dije Zyra për Informim e Këshillit Prokurorja të Kosovës për gazetën “Epoka e re”.
Kurse, një prokuror në kushte anonimi ka thënë për gazetën se janë të shqetësuar për zvarritjen e riemërimit të tyre. “Nga data 22 janar jemi pa dekret, në të njëjtën kohë po vazhdojmë punët sipas detyrës zyrtare. Mosrimërimi natyrisht se na shqetëson në kryerjen e punës tonë”, ka thënë njëri nga këta prokurorë.
Sipas Ligjit për Këshillin Prokurorjal të Kosovës, presidenti i Kosovës emëron dhe riemëron prokurorët. “1. Presidenti emëron dhe riemëron prokurorët bazuar në propozimet e Këshillit. 2. Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk e emëron prokurorin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti emëron prokurorin sipas propozimit të Këshillit”, thuhet në nenin 23 të këtij ligji.