
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurencës, Valon Prestreshi, ka njoftuar se ky institucion ka filluar hetimet kundër kompanive që kanë keqpërdoruar çmimin e barit remdesivir, i cili po shihet si medikament për trajtimin e Covid-19.
Prestreshi ka bërë me dije se për ndriçimin e rastit, do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm. Ai një gjë të tillë e ka deklaruar përmes ‘Facebook’-ut të tij, shkruan Gazeta Express.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar hetimin preliminar për barin remdezivir pasi që është raportuar në media, se kompanitë të cilat kanë afaruar me këtë produkt kanë abuzuar me poziten e tyre dominuese, duke vendosur çmime të tepruara (excessive pricing)”, ka deklaruar ai.
Gazeta Express, ditë më parë ka pyetur në barnatoret e kryeqytetit rreth çmimit të këtij ilaçi.
Në katër barnatore të ndryshme në kryeqytet u dhanë çmime të ndryshme për këtë produkt.
“Kemi, ky lloj është nga India. Kushton 200 euro. Kemi edhe të Turqisë”, thotë një shitës në njëren nga barnatoret e kryeqytetit.
Një tjetër tregon se me këtë ilaç furnizohen nga shteti turk.
“Veç nga Turqia i marrim. Janë të shtrenjta valla. Edhe qytetarëve po i themi që të vijnë vec me recetë tëë mjekut. Se shumë shtrenjtë janë”, thotë një tjetër shitës i njërës nga barnatoret e Prishtinës.
Ilaçi i quajtur, Remdesivir, që besohet se zvogëlon kohën e shërimit të pacientëve nga koronavirusi, është miratuar për përdorim nga Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.