Kjo është vetëm një nga të gjeturat e Auditorit në këtë ministri, ku janë evidentuar disa parregullsi sidomos me udhëtime zyrtare.
“Shpenzimet për bileta të udhëtimit jashtë vendit kanë shënuar tejkalim në raport me planifikimin/kontraktimin e tyre. Në kontratë janë parashikuar 30,000€ për vit, ndërsa vetëm në vitin 2017 janë realizuar/shpenzuar 114,076€. Ministria ka kontratë kornizë “Shërbime udhëtimi me aeroplan për nevojat e MZHE-së”, për 36 muaj (nga dt. 23.03.2015 deri 23.03.2018), që ishte para ndryshim/plotësimit të ligjit të prokurimit. Në nenin 3.1 të kontratës është përcaktuar se vlera e kontratës të jetë përafërsisht 30,000€ për vit. Mirëpo, vetëm gjatë vitit 2017 nga kjo kontratë është paguar vlera prej 47,248€ apo 57% më shumë se vlera e përcaktuar në kontratë. Për më tepër, nga data 13.04.2017, ministria ka lidhur marrëveshje me OE për shfrytëzimin e kontratës së AQPsë4, dhe me këtë kontratë janë bërë pagesa për bileta në vlerë prej 66,828€”, thuhet në raportin e Auditorit, raporton lajmi.net.
Dallavare me udhëtime jashtë vendit janë evidentuar sidomos në arsyetimin e shpenzimieve, dhe mungesën e faturave.
Në tri raste është gjetur se mungojnë faturat për shpenzimet e fjetjes, e në 11 raste ajo e udhëtimit.
“Lidhur me shpenzimet e udhëtimit kemi vërejtur se, në tri raste mungojnë faturat për shpenzimet e fjetjes6. Ndërsa në 11 raste mungon dëshmia e udhëtimit (boarding pass), si dhe arsyeshmëria e udhëtimit nuk ishte e duhur në shumicën e rasteve. Po ashtu formulari i kërkesës për udhëtim nuk është nënshkruar nga zyrtarja e personelit dhe nuk është përdorur formulari zyrtarë për llogaritjen e shpenzimeve për udhëtime zyrtare”, ka gjetur Auditori.
Madje në një rast edhe pse zyrtarja e ministrisë ishte angazhuar me punë vullnetare pas pensionimit, për një udhëtim në Turqi ajo u pagua 996 euro.
“Për më tepër, udhëtimi zyrtar për në Turqi në vlerë prej 996€ ishte bërë për ish zyrtaren e ministrisë, e cila në ministri është e angazhuar me punë vullnetare pas moshës së pensionimit. Sipas rregullores nr. 20/2012 për punë vullnetare të nëpunësve civil, neni 7 përcakton përgjegjësitë e institucionit, me rastin e angazhimit në punë vullnetare të nëpunësve civil pas pensionimit, mirëpo mbulimi i këtyre shpenzimeve nuk parashihet”, ka gjetur Auditori.
Problem tjetër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik mbete niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve që Auditori i ka dhënë në vitin paraprak.
Gjë që është evidentuar edhe në shumicën e institucioneve tjera. /Lajmi.net/