
Rreth 10 ton mandarina me pesticide që i ndaloi Kroacia në muajin dhjetor janë shitur në treg për konsumatorët shqiptarë.
Në këtë konkluzion ka dalë policia e Beratit e cila ka arrestuar tre persona që i cilëson përgjegjës. Ata janë fermeri Elton Tafa, grumbulluesi Arben Dyli dhe veterineri Elson Tahiraj.
Nga shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese, tek Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve, Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”, janë katër veprat penale të cilat rëndojnë mbi këta persona.
Nga hetimet e prokurorisë së Beratit dyshohet se fermeri shtetasi Elton Tafa i ka shitur Arben Dylit administratorit të një pike grumbullimi 10 ton mandarina të cilat më pas pika e grumbullimit i ka eksportuar drejt Kroacisë. Por kur autoritetet kroate kryen analizat e nevojshme rezultoi se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për t’u përdorur.
Në këto kushte ngarkesat me mandarina u kthyen mbrapsht në vendin e origjinës. Prokuroria thotë se ngarkesa u tërhoq nga Arben Dyli me qëllim që të asgjësohej, por ka dyshime të forta se këtë sasi mandarinash të dëmshme për shëndetin ai e ka hedhur sërish në treg.
Në këtë pikë dyshohet se e ka ndihmuar inspektori i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve Elson Tahiraj, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme, mes tyre edhe për 10 ton mandarinat e Arben Dylit, të cilat duhet të ishin asgjësuar./TopChannel/