
E Republikës së Kosovës asnjëherë nuk i është dërguar asnjë shkresë zyrtare nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen. Mbase kjo nuk është edhe një praktikë, por këto shtete zakonisht nuk pranojnë as të përgjigjen në pyetje rreth kësaj teme kur dërgohen në adresë të tyre.
Në konferencat e organizuara për media, Daçiq shpeshherë shfaqet i vetëm nga ku edhe jep lajmin se një shtet ka tërhequr njohjen, e rrallëherë me zyrtarë të shteteve që pretendohet ta kenë tërhequr njohjen.
Por edhe kur shfaqet së bashku me zyrtarë të këtyre shteteve, Daçiq përsëri flet vetë në emër të atij shteti kinse ka tërhequr njohjen, por në të gjitha pretendimet e derisotme asnjëherë asnjë zyrtar i këtyre shteteve nuk ka deklaruar gojarisht se shteti i tij ka tërhequr njohjen.
Gjithçka që ndodh në këto konferencat e organizuara nga Daçiqi është një fjalim i shkurtër dhe prezantimi i një dokumenti të përkthyer në gjuhën serbe, përmes të cilit ‘pretendohet’ se një shtet i caktuar ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Zyrtarët e këtyre shteteve gjithçka që thonë në këto konferenca për media është që mbështesin prosperitetin e Serbisë dhe dialogun ndërmjet dy shteteve, por asnjëherë nuk flasin për tërheqje të njohjes. Kështu ka ndodhur dje kur gjatë qëndrimit në Beograd të ministrit të Jashtëm të Ishujve Komore në Beograd është prezantuar çnjohja nga ky shtet. Është prezantuar dokumenti në gjuhën frënge si dhe ka folur edhe Daçiq duke thënë se bashkë me Komoret Kosova ka 10 vota më pak nga 193 shtete të botës.
Një situatë e tillë identike shihet në një konferencë të organizuar së bashku me ministrin e Jashtëm të Grenadas më 4 nëntor të 2018.
Në videon e konferencës për media, Daçiq shfaqet me homologun e tij nga Grenada, vetëm nënshkruajnë disa letra. Pas aktit të nënshkrimit flet vetëm Daçiq, por asnjë fjalë rreth tërheqjes së njohjes për Kosovën nuk e thotë homologu i tij nga Grenada.
“Unë mund të them se Grenada është vendi i 9-të që ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës”, kishte deklaruar Daçiq për mediat.
Ndryshe nga kjo konferencë për shtetin e Grenadas, në një konferencë tjetër për media të datës 31 tetor të vitit 2017, ku jepej lajmi se Republika e Surinamit kishte tërhequr njohjen, Daçiq shfaqet i vetëm në konferencë vetëm me një letër në dorë përmes të cilës pretendonte se është tërhequr njohja për Kosovën.
E në konferencën e datës 5 korrik të vitit 2018 për ta bërë më të besueshëm pretendimin se Papa Guinea e Re e ka tërhequr njohjen për Kosovën, Daçiq në një konferencë për media shfaqet së bashku me disa vartës të tij.
Madje, ka raste kur nuk organizohen fare konferenca për media, por vetëm lëshohen në mediat serbe dokumente përmes të cilave pretendohet se një shtet ka tërhequr njohjen për Kosovën.
Për ‘tërheqjen’ e njohjes për pavarësinë e Kosovës nga Lesoto, me 16 tetor të këtij viti, dokumentet fillimisht ishin publikuar në media, saktësisht në agjencinë e lajmeve ‘Tanjug’, ndërsa më pas kishte folur Daçiq.
Problem Daçiqit i kishte dalë më shtetin e Liberisë. Pasi shefi i diplomacisë serbe kishte deklaruar se ky shtet ka tërhequr njohjen, kishte ardhur reagimi zyrtar nga ky vend me datë 22 qershor të vitit 2018, duke thënë se Liberia asnjëherë nuk e ka marrë një vendim të tillë.
Të gjithë këto pretendime të Serbisë, janë mohuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, duke thënë se janë pjesë e propagandës së Serbisë kundër shtetit të Republikës së Kosovës. Shteti i Kosovës asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga ndonjë shtet për tërheqje të njohjes.
Madje, ky akt i tërheqjes në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare nuk ekziston fare. Por, sot gjatë ditës, me këtë temë është marrë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Ruairi O’Connell i cili ka thënë se megjithatë disa shtete kanë tërhequr vendimin për njohjen. /GazetaExpress/