Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka konfirmuar lajmin e publikuar më herët gjatë ditës nga Gazeta Express, se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Veseli ka thënë, në një paraqitje të drejtpërdrejtë, në emisionin “Pressing”, me Leonard Kërqukin, në televizionin T7, se është i vërtetë pohimi se Thaçi ndodhet në SHBA.
Para pak ditësh u bë e ditur se edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka udhëtuar drejt SHBA-së, pa e njoftuar vizitën.
Partitë opozitare në Beograd e kanë akuzuar Vuçiqin se është përfshirë në negociata sekrete me Hashim Thaçin, fillimisht në Paris e më pas edhe në SHBA.
Pak ditë më parë gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” njoftoi se dy presidentët ishin përfshirë në bisedime për ndarjen e Kosovës, por që ky opsion ishte ndaluar pas intervenimit të Berlinit.
Veseli, në T7, ka mohuar një mundësi të tillë. Ai ka thënë se Thaçi nuk i tradhton interesat e vendit. /Express/