Ambasadori i ri i Izraelit në Beograd, Yahel Vilan, ka thënë sot se Izraeli ende nuk e ka ndërmarrë veprimin zyrtar për njohjen e Kosovës.
Ai ka thënë për Tanjug se njohja është gjithsesi pjesë e marrëveshjes së fundit të arritur në Uashington mes shteteve dhe beson se nuk do të ndikojë në raportet mes Serbisë dhe Izraelit, përcjell lajmi.net
“Sa i përket çështjes së Kosovës, ne kemi një deklaratë nga kryeministri i Izraelit për njohje reciproke mes Izraelit dhe Kosovës. Deri tash s’kemi marrë veprime në terren, por kjo është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington”, ka thënë Vilan.
Vilani po ashtu ka thënë njohja reciproke mes Izraelit dhe Kosovës nuk do të ndikojë në raportet “e fuqishme me Serbinë”, për të cilat ka thënë se Izraeli planifikon t’i forcojë ende.
Kosova e Serbia më 4 shtator në Uashington nënshkruan zotimet për “normalizim ekonomik”, pas së cilës u njoftua njohja e Kosovës nga Izraeli.