Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar partitë opozitare, për siç ka thënë propagandë të paskrupullt kundër aleatëve ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka pasur vëmendje më të madhe ndërkombëtare se sa këtë fazë të dialogut me Serbinë.
Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë. Kjo situatë është për keqardhje.
Postimi i plotë i Thaçit:
Që nga shpallja e pavarësisë dhe deri më sot, Kosova asnjëherë nuk ka pasur vëmendje më të madhe ndërkombëtare. Duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë të përfshira në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje eventuale, e cila është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në BE, NATO dhe OKB.
Pra, përderisa në njërën anë kemi të gjithë aleatët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, fatkeqësisht në Kosovë, në anën tjetër kemi një opozitë të ndihmuar nga disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile që e konsiderojnë këtë mbështetje si qëllimkeqe për Kosovën.
Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë. Kjo situatë është për keqardhje.
Sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë.
Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cenimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme.
Kurrë asnjë e keqe nuk i vjen Kosovës nga mbështetja e aleatëve tanë perëndimorë. E vetmja e keqe që mund t’i vijë vendit tonë është vetëm nga ata që nuk duan marrëveshje paqësore me Serbinë, që nuk duan anëtarësim të Kosovës në BE, NATO dhe OKB.
Qytetarët tanë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre nëpërmjet referendumit. Ata duhet të zgjedhin se a janë për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila Kosovës i siguron anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, apo duan të jetojnë në hasmëri me shtetet fqinje dhe të izoluar.
Unë e di që ata do të zgjedhin opsionin e parë, prandaj edhe po punoj në koordinim të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë, që paqja me fqinjë dhe integrimi të jenë zgjedhja e duhur.